Ditën e djeshme në Uashington është firmosur një marrëveshje historike për Ballkanin, mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë në prezencë të presidentit Donald Trump.

Mirëpo atë që ndodhi dje në Uashington ishte paralajmëruar në muajin shkurt të këtij viti nga analisti Lorenc Vangjeli. Në një intervistë të dhënë për Fjala.al dhe më pas përmes publikimit të një editoriali në Javanews.al, Lexo.al dhe shumë portale të tjera, Vangjeli saktësonte se marrëveshja do firmosej dhe se nga ana tjetër presidenti Trump do e përdorte atë për efekt elektoral.
Ja çfarë shkruante, ndër të tjera, Lorenc Vangjeli rreth gjashtë muaj më parë: Në të gjithë këtë panoramë, ka një tjetër fakt të rëndësisë së dorës së parë. Janë një mori detajesh që vërtetojnë rikthimin e fortë të interesit amerikan në rajon. Ata janë aksionerët kryesorë të hartës së re dhe ekuilibreve të rinj gjeopolitikë në Ballkan. Shqiptarët janë përfituesit kryesorë absolutë të saj në këto dy dekadat e fundit. Sinjale analizash që vijnë në mënyra të ndryshme nga Uashingtoni dëshmojnë se në pritje të rizgjedhjes së tij, Presidentit Trump i nevojitet një “fitore” në politikën e jashtme të vendit të tij. Dhe në Ballkanin që ngjan shumë i komplikuar, ajo mund të vijë shumë më lehtë, krahasuar me tentativat për të krehur lëmshet arabe, për të çaktivizuar terrorin bërthamor iranian apo socializmin qesharak korean. Akti politik që mund të frymëzohet dhe të shtyhet nga Uashingtoni mund të zgjasë sa një Twitter në komunikimin e Presidentit Trump, por në mënyrë absolute do të ndikojë në shumë vite në temperaturën e rajonit dhe në fatin e shumë milionë banorëve të tij e më gjerë. Dhe me shumë gjasë, shumë shpejt mund të ketë të reja drithëruese në aksin Prishtinë – Beograd. Politika lokale do të jetë vetëm dëshmitare e një akti të nënshkruar gjetkë. (Lexo.al)

Shkrimi i plotë: https://lexo.com.al/2020/02/15/rama-e-kurti-nje-dhe-bashke-jane-me-shume-se-dy-vec-e-vec-por-pa-llogaritur-vucicin/