Sot në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, Kryeministri Rama nënshkroi me përfaqësues të BE Memorandumin e Mirëkuptimit për investimin prej 50 milionë eurosh miratuar nga BE-ja në kuadër të projektit të Rindërtimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Pjesë e fondit prej 100 milionë euro alokuar nga BE për të ndihmuar ringritjen pas tërmetit, ky investim i dedikohet shkollave, kopshteve dhe objekteve të kulturës të cilat u dëmtuan vitin e kaluar.
Ai e konsideron këtë projekt si vazhdimësi e procesit të rivitalizimit urban dhe rural që vijon në Shqipëri, duke ndikuar në zhvillimin e secilës zonë sipas pikave më të forta turistike dhe ekonomike të tyre. Sipas Kryeministrit “Procesi i rindërtimit është një proces për fuqizimin ekonomik dhe social. Dritëshkurtësi e madhe, të mos kuptosh se këto investime janë ekonomi drejtpërdrejtë. Ky projekt do sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë që do sjellin edhe më shumë të ardhura.”
Rama kujtoi se si BE-ja iu gjend pranë Shqipërisë në momentet më të vështira dhe kontributin rekord që dhanë në Konferencën e Donatorëve. “Paratë e taksapaguesve europianë janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Bashkimit Europian” tha zoti Rama për t’i paraprirë atyre që mund të hedhin dyshime mbi transparencën për përdorimin e këtyre fondeve.
Kryeministri Rama e konsideroi këtë marrëveshje me BE-në xhevahirin që kurorëzon punën që është bërë gjatë viteve për rijetëzimin e monumenteve kulturore, shumë prej të cilave janë shpëtuar teksa ishin në prag të asgjësimit.