Nga Artur Ajazi/
Kreu i shtetit në detyrë, nuk po lë ditë dhe datë të shënuar, pa u bërë thirrje nga frëngjia e presidentit shqiptarëve. Vetëm një i marrë, dhe një i rrjedhur plotësisht mund të veprojë dhe mund të shkelë me të dy këmbët Kushtetutën siç po vepron ai. Kësaj here ai ka zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ka zgjedhur dhe vargje të Abraham Lincoln, për t’ju drejtuar shqiptarëve, të ngrihen për të rivendosur demokracinë dhe shembur regjimin e instaluar. Dhe kush e thotë, një njeri që hyri nga dritarja e politikës, mori dhe mbajti pushtet sa deshi, vuri pasuri me okë, arriti majat e pushtetit, dhe kërkon sërish të rikthehet si në ditën e parë. Duke cituar Lincoln dhe të mbijetuarin e Holokaustit Elie Wiesel, kryetari shtetit në Shqipëri, bën paralelizma qesharake me kohë të ndryshme. Ilir Meta ose nuk e di se, Shqipëria e ka fituar demokracinë qysh në 1990 me studentët e Dhjetorit, ose kërkon të bëhet një Lincoln apo Wiesel i dytë duke dashur të lërë në prag të ikjes nga politika, gjurmët e fundit. Një kryetar shteti që nuk di se çfarë bën, se nuk di çfarë flet dhe cilin citon, duke dashur të shfryjë hakmarrjen e madhe që ka me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, natyrisht nuk ka se si të merret më seriozisht. Përgjatë gjithë periudhës, që ai ka qenë kryetar shtetit në këtë vend (dhe që në fakt vetëm i tillë nuk ka qenë) shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar, kanë patur rastin të njihen me njeriun që shkeli betimin që bëri para Kushtetutës, njeriun më të njëanshëm, dhe më ekstremistin e pashembullt, kanë patur rastin të njihen me politikanin e papërgjegjshëm, që gajasi gjithë dynjanë, me protestat dhe thirrjet e tij antiqeveritare.
Eshtë skandaloze të dëgjosh dhe lexosh në rrjetet sociale, thirrjet e kryetarit të shtetit, daljen e tij haptazi kundër një qeverie të ligjshme, kundër një Parlamenti të ligjshëm, kundër një kryeministri të ligjshëm, dhe kjo vetëm për faktin sepse ka humbur gjithçka që kishte fituar nga politika, veç pasurisë tij. Ai dhe partia që formoi (për inat të mullixhiut-Nano) ishin dhe do të mbeten zgjedhja dhe zgjidhja e vetme, por edhe e përkohshme, që ai bëri në mbrojtje të interesave të momentit dhe të ardhmes së tij në politikë. LSI pas 25 Prillit 2021, nuk ka gjasa kurrë të jetë më lavierrësi tundues, që përcakton fatin e pushtetit dhe qeverisjes së fituesit. Ajo parti, duket se do të jetë streha e vetme e një kryetari shteti, që asnjëherë nuk doli nga korniza e tij, por mbeti peng i ambicjeve dhe ëndërrave për pushtet. Ilir Meta duke dashur të bëhet jo vetëm interesant por edhe karizmatik në fund të karrierës tij, por kërkon të ringjallë me vargje poezish dhe citate të huazuara, zemërimin e shqiptarëve. Në postimin e fundit si asnjë tjetër kryetar shteti, në një vend demokratik, ai kërkon zgjim, reagim, bashkim, ndryshim. Sinqerisht, sikur kisha para syve Vladimir Iliç Leninin, në fjalimin e tij para punëtorëve të hekurudhës (sovjetëve), pas kthimit nga Gjermania. Edhe ai, kërkon të bëjë revolucion, kërkon të bëjë atë që Lulzim Basha nuk e arriti dot, kërkon të përmbysë me dhunë (sepse me votë nuk mundet për 100 vjet) një qeverisje të ligjshme të një vendi demokratik. Përmbaje inatin Ilir, përmbaje vehten kur të vijnë mllefe të tilla, sepse në Shqipëri nuk ke çfarë të përmbysësh, veç në kthefsh përmbys Presidencën. Përmbaje vehten Ilir përmbaje, sepse ndryshe, do të mendojmë se nuk ke shkarë por ke rrjedhur plotësisht.