Lionel Messi qëndron te Barcelona. Ekskluzivisht për “Goal.com”, fenomeni argjentinas ka njoftuar zgjedhjen e tij dhe ka shpjeguar arsyet për vendimin e marrë, duke mbetur Blaugrana, pavarësisht dyshimeve të shumta që e kanë munduar në javët e fundit. Arsyeja kryesore për zgjedhjen e tij është emocionale, mirënjohjeje. Ai nuk donte, në asnjë mënyrë, të përfundonte në gjyq me klubin e jetës, Barcelonën. Por, kapiteni nënvizon gjithashtu një premtim të parealizuar nga presidenti Bartomeu.
Pse pritët kaq shumë për të thyer heshtjen? Së pari, sepse pas disfatës në Lisbonë ishte shumë e vështirë. Ne e dinim se Bayerni ishte një rival shumë i vështirë, por jo se mund të përfundonte në atë mënyrë, duke dhënë atë imazh të keq për klubin dhe barcelonizmin. Unë nuk doja asgjë. Thjesht doja që koha të kalonte dhe pastaj të kthjellohej gjithçka.
Pse i thatë Barcelonës se mund të largoheshit? Unë i thashë klubit, posaçërisht presidentit, se doja të largohesha. Ia kam thënë këtë gjë gjithë vitin. Mendova se ishte koha të largohesha. Mendova se klubi kishte nevojë për njerëz më të rinj. Mendova se aventura ime në Barcelonë do të mbaronte me shumë keqardhje, sepse gjithmonë thoja se do të doja ta përfundoja karrierën time këtu. Ka qenë një vit shumë i komplikuar, kam vuajtur shumë gjatë stërvitjeve, në ndeshje, në dhomën e zhveshjes. Ishte bërë shumë e vështirë për mua dhe erdhi një moment kur mendova të kërkoja stimuj të rinj, ajër të pastër. Kjo nuk ishte për shkak të rezultatit të Champions-it kundër Bayernit. Unë kisha menduar për këtë prej një kohe të gjatë. I pata thënë edhe presidentit, i cili gjithmonë më premtonte se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të largohesha apo do të qëndroja. Në fakt, në fund ai nuk e mbajti fjalën.
A jeni ndjerë vetëm? Jo, nuk u ndjeva vetëm. Në krahun tim ishin të njëjtët, si gjithmonë. Kjo është e mjaftueshme për mua dhe më forcon. Por, po, u lëndova teksa dëgjoja gjëra të thëna nga njerëz, nga gazetarë, të cilët dyshonin në barcelonizmin tim. Ata thanë gjëra për mua, që nuk mendoj se i meritoj. Gjithashtu, ky moment më ndihmoi të shoh se kush është kush. Bota e futbollit është shumë e vështirë dhe ka shumë njerëz shumë të rremë. Ajo që më ndodhi më ndihmoi të njoh shumë njerëz të rremë, prej të cilëve kisha një konsideratë tjetër. Më lëndoi fakti se dashuria ime për këtë klub u vu në dyshim. Nëse largohem apo qëndroj, dashuria ime për Barcelonën nuk do të ndryshojë kurrë.
Ne kemi dëgjuar gjithçka. Nga faktori i parave, te miqtë e Messit. Çfarë ju lëndoi më shumë, pas 20 viteve karrierë te Barcelona? Pak nga gjithçka, si për miqtë e Messit, ashtu edhe për paratë. Kaq shumë gjëra që u thane, më lënduan. Unë gjithmonë e kam vendosur klubin para çdo gjëje. E kam pasur mundësinë të largohem nga Barcelona shumë herë. Çdo vit mund të kisha ikur dhe të fitoja më shumë para sesa në Barcelonë. Gjithmonë thoja se kjo është shtëpia ime, këtë gjë ndjeva dhe e zbatova. Së fundi ndjeva se kisha nevojë të ndryshoja, të synoja objektiva dhe gjëra të reja.
Në fund të fundit është shumë e vështirë të heqësh dorë nga 20 vite, një jetë e tërë, familja që është ehatuar në Barcelonë, qyteti. Dhe kjo është ajo që peshon më shumë kur merr një vendim. Në fund, a do të qëndroni te Barcelona apo jo?Po, do të vazhdoj me Barcelonën. Sigurisht që më mundoi shumë ky vendim. Nuk ka asnjë lidhje me rezultatin e Bayernit, varet nga shumë gjëra. Unë gjithmonë thoja se doja të qëndroja këtu. Se doja një projekt fitues dhe të fitoja tituj me klubin, për ta mbajtur trendin e Barcelonës në rritje, referuar trofeve. E vërteta është se prej një kohe të gjatë nuk ka asnjë projekt dhe asgjkë këtu. Drejtuesit mashtrojnë dhe mbulojnë vrimat, ndërsa gjërat përkeqësohen. Siç thashë më parë, gjithmonë kam menduar për mirëqenien e familjes time dhe klubit.
Çfarë ndodhi kur i thatë familjes tuaj se mund të largoheshit nga Barcelona? Kur ia komunikova vullnetin tim gruas dhe fëmijëve ishte një tragjedi. E gjithë familja shpërtheu në lot, fëmijët e mi nuk donin të largoheshin nga Barcelona, ata nuk donin të ndryshonin shkollën. Unë shikoja më tej, doja të konkurroja në nivelin më të lartë, të fitoj tituj, Ligën e Kampionëve. Mund të fitosh ose të humbasësh, sepse është shumë e vështirë, por duhet të garosh me dinjitet. Të paktën të garosh dhe të mos shembesh si në Romë, Liverpool, Lisbonë. Dhe kjo më bëri të mendoj për t’u larguar. Siç u përmend, mendova dhe isha i sigurt se mund të largohesha. Presidenti gjithmonë thoshte se në fund të sezonit mund të vendosja nëse do të qëndroja apo jo. Tani, drejtuesit e klubit kapen për faktin se nuk iu thashë para 10 qershorit, kur është e qartë se më 10 qershor ne po luanim në La Liga mes këtij koronavirusi të tmerrshëm dhe se kjo sëmundje ka ndryshuar gjithë sezonin. Dhe kjo është arsyeja pse unë do të qëndroj te Barcelona. Tani do të qëndroj, sepse presidenti më tha se mënyra e vetme për t’u larguar është pagesa e klauzolës 700 milionë euro, gjë që është e pamundur. Ekzistonte një mënyrë tjetër, të shkonim në gjyq. Por, unë kurrë nuk do ta padisja Barcelonën, sepse është klubi që dua, i cili më ka dhënë gjithçka që kur kam ardhur, është klubi i jetës sime. Unë e kam kaluar jetën këtu. Barça më dha gjithçka dhe anasjelltas. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje ta dërgoj Barcelonën në gjyq.
A është kjo, ajo që ju lëndoi më shumë, se ka njerëz që menduan se mund ta tradhtonit Barcelonën? Unë u lëndova nga kaq shumë gjëra të botuara kundër meje dhe mbi të gjitha nga shumë lajme të rreme. Fjala vjen, u shkruajt se mund të padisja Barcelonën për interesat e mia. Unë kurrë nuk do të kisha bërë një gjë të tillë, e përsëris. Doja të largohesha dhe ishte e drejta ime, sepse kontrata thotë që mund ta bëja këtë. Doja të largohesha, sepse doja të jetoja vitet e fundit të futbollit të lumtur. Kohët e fundit nuk kam gjetur lumturi brenda klubit.
Kjo është e rëndësishme, të jesh i lumtur. Ju jeni një fitues i lindur, a do të vazhdoni ta drejtoni ekipin. Diçka do të ndryshojë te Barcelona apo jo? A duhet të ndryshojë diçka në nivelin sportiv? Unë do të vazhdoj te Barcelonë. Sjellja ime nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh sa doja të largohesha. Unë do të jap gjithçka. Gjithmonë dua të fitoj, jam konkurrues dhe nuk më pëlqen të humbas. Gjithmonë dua më të mirën për klubin, për shokët e mi të skuadrës dhe për veten. Ua thashë se nuk kisha mbështetjen e nevojshme për të fituar Ligën e Kampionëve. Tani nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ekziston një trajner i ri, me ide të reja. Dhe kjo është e mirë, por ne duhet të shohim se si ekipi do të përgjigjet dhe nëse do të jemi në gjendje të garojmë në nivelin më të lartë. Ajo që mund të them është se unë do të qëndroj dhe do të jap gjithçka për Barcelonën.
Cila ishte gjëja e parë që menduat kur njerëzit thanë se nuk interesoheni për Barcelonën?
Më lëndoi që përkushtimi im ndaj Barcelonës u vu në dyshim. Unë jam mirënjohës këtij klubi. E dua Barcelonën dhe nuk do të gjej një vend më të mirë se këtu diku tjetër. Por, ende kam të drejtën të vendos. Unë doja të shkoja në kërkim të sfidave të reja. Dhe nesër mund të kthehem, sepse këtu në Barcelonë kam gjithçka. Djali im, familja ime u rrit këtu. Nuk kishte asgjë të keqe të dëshiroja të largohesha. Ishte mirë për të gjithë.
Në fund le të flasim për “burofax” e famshëm. Pse vendosët ta dërgonit atë? Çfarë keni dashur të provoni?“Burofax” ishte për ta zyrtarizuar dëshirën në një farë mënyre. Gjatë gjithë vitit i thashë presidentit se doja të largohesha, se ishte koha të shkoja në kërkim të objektivave dhe përvojave të reja në karrierën time. Ai më thoshte gjithmonë: Ne do të flasim për këtë, jo tani, etj… Por, asgjë. Presidenti kurrë nuk ma dha idenë më të vogël të asaj që po thoshte. Dërgimi i “burofax” ishte për të zyrtarizuar se doja të largohesha dhe se isha i lirë, se nuk do ta përdorja opsioni për një vit tjetër. Nuk ishte për të krijuar bujë, ose për të dalë kundër klubit, por për të bërë zyrtar vendimin tim. Nëse nuk e dërgoja “burofax”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, kisha mundësinë edhe për një tjetër viti. Ajo që thanë është se unë nuk e kam komunikuar këtë dëshirë para 10 qershorit, por e përsëris që ishim në mes të garave dhe nuk ishte koha. Përveç kësaj, presidenti gjithmonë më thoshte: Kur të mbarojë sezoni vendosni nëse do të qëndroni apo jo. Ai kurrë nuk vendosi një datë. Sidoqoftë, nuk doja të debatoja me klubin.