Nga Artur Ajazi

Edhe pse nuk kanë kaluar shumë kohë nga bllofi me CD e Babales, duket se në SHQUP nuk mungojnë të montojnë të tjera “scoope” dhe xhevahire, duke angazhuar në histori gazmore së fundi edhe Gridën. Madje thuhet se nga “suksesi i CD-ve të reja, varet fati i Gridës për listën e re”. Por rëndësi më të madhe në gjithë historinë e gjetjes së “hallexhinjve” që rrëfehen para shqupistëve pa mandat, e kanë emrat dhe figurat e panjohura, gjetja e atyre që nuk njihen shumë në lagjet dhe zonat e banuara. Dhe “peshkimin” e tyre duhet ta bëjnë ata që kanë mprehur “dhëmbët dhe këmbët” për tu futur në listë, dhe për tu bërë deputet me çdo kusht. Gjetja e “hallexhinjve” në periferi, apo dhe puna edukativo-politike me ata para se të filmohen me zë dhe figurë, tregon sa mjeranë janë ata që kurdisin këto marifete.

Duke shfrytëzuar hallet, problemet dhe mjerimin e ndonjë familje apo individi, Enkeledi, Grida, Ervini, apo dhe Gazmendi, nuk pyesin shumë për bllofin apo diskreditimin që u vjen më pas, mjafton të dalë zonja apo zotëria me zë dhe figurë dhe të tregojë “sa ka vuajtur dhe po vuan nën qeverisjen e Ramës”. Edhe në 1992 apo 1996, nuk bëheshin të tilla gjëra para fushatave, edhe pse asokohe ishin më të paditur se kurrë ata që kishin ëndërr mandatin e deputetit. Në SHQUP, dihet se montazhierët e CD, janë klonime të atyre që kanë punuar dikur në televizionet e Doktorit, por gjithsesi mbeten mjaft diletantë. Pa pikën e turpit, trokasin në dyert e tjetrit, i prezantohen si “politikanë të ndershëm”, e marrin me të mirë, i japin ndonjë “dhuratë”, dhe pastaj i kërkojnë hapur fare “jep një intervistë për ne, kritiko dhe fyej qeverinë, kryeministrin, thuaj se “kemi 7 vjet pa bukë, pa shtëpi, pa punë”, sepse nesër kur të vijmë ne në pushtet do të ndihmojmë me çfarë të duash”. Dhe këtë gjë, mandatdjegurit e Partisë Demokratike, kanë nisur ta bëjnë javët e fundit në periferitë e çdo qyteti, nuk po lënë çadër dhe banesë të plasaritur pa trokitur, nuk po lënë njeri pa joshur me “dhurata” dhe premtime rruge, duke i mashtruar ata me lista emërore, për çdo njeri që ndihmon sot opozitën të vijë në pushtet.

Një parti rrëmujë, një forcë politike pa kurrfarë programi, pa kurrfarë ideje për ç’do të bëjë me “krizën e tërmetit dhe pandemisë”, por thjesht afron, filmon dhe shfaq në ekrane dhe rrjete sociale, CD të montuara si diletantë. Ti besosh mandatdjegurve të SHQUP-it tek të servirin “parajsën” kur ata të marrin pushtetin, ti besosh edhe njëherë votën atyre që braktisën Parlamentin dhe bashkitë, dhe nuk lanë institucion pa lyer me molotov, është lajthitje. Por ky popull, po e sheh me sy dhe dëgjon me veshë, ç’ka po ndodh me partinë e atyre që mburren se “ne sollëm demokracinë”, me partinë e milionerëve dhe mëkatarëve të pandëshkuar, ç’ka po ndodh me partinë e dhjetoristëve të ’90, e cila është katandisur në pronë private të Doktorit, Lulzimit dhe oligarkisë së tyre.

Baza e Partisë Demokratike sot, janë montazhierët e CD-ve, rojtarët e babaleve, dhe bërrylësit e listave të Lulzim Bashës. Fati dhe e ardhmja e asaj partie është paracaktuar tashmë. Do të qëndrojë gjatë në opozitë, dhe do të merret gjatë me CD të reja. Madje pas zgjedhjeve të 2021, të tilla gjëra, ata do ti bëjnë edhe njëri-tjetrit, mjafton të shtyjnë me humor vitet e mbetura në politikë.