Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu në shumë zona të vendit, Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve në të gjitha akset rrugore dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë. Policia u bën apel drejtuesve të mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë manovra apo parakalime të gabuara, të vendosin rripin e sigurimit dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.

“Drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse, ata të biçikletave të ndriçojnë biçikletën gjatë udhëtimit dhe në rast reshjesh të dendura të ndërpresin lëvizjen deri në qetësimin e motit, që të mos rrezikojnë jetën e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë. Gjithashtu, Policia thekson se një vëmendje të veçantë duhet të tregojnë edhe këmbësorët që tentojnë të kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi për shkak të shiut dhe të errësisrës, rreziku është i madh për t’u përfshirë në aksident rrugor. Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që për çdo emergjencë që mund të kenë gjatë udhëtimit të telefonojnë menjëherë në numrin 112 ose të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital dhe shërbimi i Policisë do jetë në kohë reale në ndihmë të tyre.