Dr. Marjeta Dervishi
Instituti i Shëndetit Publik
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rikujton qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj. Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi.
I bëjmë thirrje çdo qytetari të ruani distancën fizike, mbani maskën kudo në ambjente të mbyllura dhe aty ku nuk ruhet distanca si dhe duhet kujdes i shtuar për higjienën personale, të ruani distancimin fizik dhe higjienën personale. Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me COVID-19. Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 173 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.
Ju informojmë se në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID19 një 66 vjeçare nga Kukësi, një 69 vjeçar nga Kurbini, një 70 vjeçar nga Elbasani dhe një 72 vjeçar nga Tirana. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Janë kryer në 24 orët e fundit 817 testime dhe janë konfirmuar 132 raste. Rastet ditore të identifikuara si rezultat i gjurmimit, testimit dhe hetimit epidemiologjik janë si vijon : 24 raste në Tiranë, 15 në Gjirokastër, nga 10 raste në Korçë, Elbasan, nga 8 raste në Krujë, Lezhë, nga 7 raste në Shkodër, Durrës, nga 6 raste në Kukës, Berat, nga 5 raste në Dibër, Malësi e Madhe, nga 3 raste në Has, Pustec, nga 2 raste në Kavajë, Pukë, Tropojë, Pogradec, Bulqizë, nga 1 rast në Lushnje, Vlorë, Kamëz, Mat, Maliq. 55 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6788 që nga fillimi i epidemisë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju kujton të mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe në çdo rast të kontaktoni urgjencën kombëtare në numrin 127 kur dyshoni se jeni i prekur nga Sars-Cov2. Qëndroni në kontakt me mjekun e familjes dhe për çdo informacion të sigurt rreth koronavirusit, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.