Punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, ata të cilët kërkojnë të aftësohen nëpërmjet punës, të subvencionohen për punësim apo të kryejnë praktika profesionale, ashtu si dhe punëdhënësit të cilët kërkojnë të mbështeten financiarisht nga shteti për shtimin e fuqisë së tyre punëtore po përfitojnë nga programet e nxitjes së punësimit të qeverisë. Nxitja e punësimit është ndër programet aktive, i cili nëpërmjet sigurimit të punësimit të përkohshëm apo afatgjatë po ndikon drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë përgjatë këtyre viteve.

Përmes këtij program, Zyrat e Punësimit ndërhyjnë realisht për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar me punëdhënësit dhe nëpërmjet subvencionimit të tyre. Këto programe janë në kuadrin e politikave qeveritare të fokusuara në masat aktive për uljen e papunësisë. Qeveria në këtë mandat të dytë të saj e ka vendosur objektiv punësimin duke e adresuar jo vetëm me politika sociale, por duke zbatuar politika fiskale në disa fronte që lidhen ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit, ku sektori privat rritet dhe rrjedhimisht gjeneron vende pune.

Qeveria është fokusuar edhe drejt qasjes sociale, që ofrohet për ato grupe që nuk janë në gjendje të gjejnë vetë një punë në sektorin privat. Këtu rol të madh po luan shërbimi i ndërmjetësimit të punësimit në Zyrat e Punës. Programet e punësimit që po zbatohen nëpërmjet shërbimit kombëtar të punësimit, synojnë pikërisht lehtësimin e integrimit të këtyre grupeve të marxhinalizuara në tregun e punës. Kjo është qasja e re që qeveria po i bën zyrave të punës, duke i kthyer punonjësin e shërbimit kombëtar të punësimit në një ndërmjetësues.

Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, publikuar nga INSTAT, gjatë vitit 2019, numri i personave në forcën e punës është 1.430 mijë persona. Të punësuar janë 1.266 mijë persona. Tregu i punës regjistroi ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë në nivelin prej 11.4% në tremujorin e parë të 2020-s, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit. Shqipëria mbetet vendi me normën më të ulët të papunësisë tek të rinjtë dhe shifra vjetore vazhdon zbresë. Referuar statistikave të INSTAT-it, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e parë të vitit 2020 është 2,2% më e ulët. Në tremujorin e parë të vitit shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 20%.

Dhe këtu qeveria po e orienton brezin e të rinjve drejt arsimit dhe formimit profesional duke qenë se arsimi dhe aftësimi profesional janë elementë shumë të rëndësishëm për rritjen e punësimit. Sot që një i ri ose e re të gjejë vend pune duhet të jetë i pajisur me aftësitë e duhura, me aftësitë që po kërkon biznesi. Tashmë janë identifikuar ata sektorë që do të mundësojnë në të ardhmen çeljen e vendeve të reja të punës. Ndër sektorët e evidentuar nga qeveria është turizmi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, dy fusha që ka një nevojë të madhe dhe është një treg që nuk është i shfrytëzuar në mënyrën e duhur. Politikat fiskale vijojmë të mbështesin lehtësimin e sipërmarrjes dhe garantimin e rritjes së qëndrueshme që në fund prodhon punësim.

Përveç lehtësive të ndërmarra në paketën fiskale të fillim vitit, ministria e Financave miratoi një tjetër paketë lehtësuese post COVID përmes së cilës synon nxitjen e zhvillimit ekonomik por edhe punësimit. Masat kryesore ligjore janë përjashtimi nga tatimfitimi për bizneset me xhiro vjetore 14 milionë, si dhe rritja e pragut për regjistrimin në TVSH në 10 milionë lekë.