Në vitin më të vështirë ekonomik, për shkak të pandemisë, por edhe më tragjik për shqiptarët, si pasojë e tërmetit, bizneset e Lulzim Bashës kanë lulëzuar dhe vilat janë shtuar. Përmes këtij krahasimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i ftuar mbrëmjen e sotme në Real Story, ka dëshmuar se shembulli i opozitës në prag të zgjedhjeve të ardhshme është shumë larg realitetit të hidhur të shqiptarëve.
“Po me shembuj do drejtojnë ndonjëherë këta, që, në fakt, vetëm e kanë shtuar pasurinë?! Në vitin më të vështirë financiar për Shqipërinë, por dhe për të gjithë botën, këta shtuan të ardhurat, kompanitë e kunetërve e kështu e radhë; këta shtuan vilat në vitin që shqiptarët humbën shëpitë. Prej pandemisë ekonomia është shtrënguar dhe prej tërmetit janë dëmtuar shtëpitë. Alternativa përballë Edi Ramës është dikush që shtoi 4 vila gjatë kohës së tërmetit dhe që në të gjitha bizneset e veta lulëzoi gjatë kohës së pandemisë. Nëse kjo është oferta që flet në emër të të varfërve, – kam dëgjuar ofertën: do ta bëjmë taksën 9%, – praktikisht ti po i thua infermieres që sot e ka taksën 3%, do t’i bëhet 9%. Pra, të vetmit të gëzuar janë oligarkët. Këta që flasin cdo ditë kundër oligarkëve do ta zbresin taksën nga 10% në 9%, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Nga ana tjetër Veliaj tha se kreu i opozitës në vend të ballafaqimit me qytetarët e Tiranës ka zgjedhur të bëjë plazh.
Ai që kemi përballë është ose në plazh, ose po shton vilat, ose po rrit financat e veta, ndërkohë që shqiptarët bënë më pak plazh, ose i humbën, ose iu dëmtuan shtëpitë dhe financiarisht nuk janë më mirë se e gjithë bota nuk është më mirë prej pandemisë. Një opozitë dhe një drejtues opozite në Tiranë nuk do të ballafaqohet, propozime konkrete nuk ka, në cdo gjë po del bllof me shpifje dhe mashtrime, që është shumë e ulët të abuzosh me shëndetin e fëmijëve, me dhimbjen e një nëne, por, ama, unë di të them këtë, njerëzit i kanë sytë në ballë, e kuptojnë që ne jemi larg të qenit perfekt, por kur shikon një qeveri që të paktën përpiqet me mish e me shpirt me kushtet që ka Shqipëria dhe kur shikojnë një lider opozite në plazh, duke shtuar vilat dhe financat, ka dicka që nuk shkon, pra njerëz që janë jashtë realiteti dhe nuk jetojnë me pulsin e kësaj shoqërie, deklaroi Veliaj.