Pagesat me kartë bankare u rritën me 21% vitin e fundit duke regjistruar një vlerë totale (blerje me karta bankare) prej 26.2 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, përdorimi i kartave bankare po zgjerohet me ritme të shpejta vitet e fundit ku dominon tërheqjet e parasë cash me rreth 85% të totalit të veprimeve me kartë bankare.

Sistemi bankar ka bërë investime të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës së pagesave me kartë dhe bankingut online. Numri i terminaleve të pagesave POS në mesin e këtij viti arriti në më shumë se 11 500, me një rritje prej pothuajse 24% apo 2200 njësi në harkun e një viti. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, shqiptarët zotëronin rreth 113 mijë karta krediti, bën të ditur BSH-ja.