E ftuara e parë e Wake Up ishte moderatorja dhe aktorja Rudina Dembacaj, e cila tregoi se kjo verë ka qenë më e vështira për të. Pak kohë më parë ajo humbi një ndër njerëzit më të shtrenjtë. I ati i saj u nda jeta pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Mes lotësh, Rudina u shpreh se i është dashur të jetë e forta e familjes, ama çdo ditë ia ka ndjerë mungesën. Për të ruajtur kontaktin me të, ajo ka nisur t’i shkruajë çdo ditë letra.

“Kjo periudhë për mua ka qenë luftë shpirtërore…Unë nuk kam humbur babanë, kam humbur shokun tim më të mirë, njeriun më të rëndësishëm të jetës time. Asnjë personazh publik nuk do donte të nxirrte në publik pikat e dobëta, sepse ne, të paktën unë që jam aktore humori do doja vetëm t’i gëzoja njerëzit sepse këtë mision kam në publik. Por shpesh është e pamundur, duke qenë se unë e kam dhe pak ves që të jem e hapur, më duket sikur pak a shumë më ngushëllon fakti që e thashë. Trishtimin për humbjen e tim eti nuk ka asnjë lloj mënyre që të transmetohet në publik, sepse për ata që më kanë njohur e dinë që ai ishte shoku më i ngushtë i gjithë jetës.

Babai gjithmonë më thoshte ti je e fortë, je e fortë… dhe kjo më ka vënë në një përgjegjësi shumë të madhe. Unë jam më e vogla dhe më duhet të jem e fortë për nënën time, për motrën dhe për 5 hallat e mia dhe e kanë vuajtur shumë humbjen e vëllait të tyre. Më ka ndihmuar shumë vëllai im, djali i xhaxhait tim Ilir Dembacaj, i cili ka qenë prezent në momentet më të vështira ta jetës time.

Ai erdhi kur babi ishte në koma. Gjendjen e komës mos e provoftë njeri në botë, është gjëja më e tmerrshme. Kisha frikë të hapja telefonin edhe kur bëhej fjalë për punë, pasi mendoja se më merrnin nga spitali. Unë kam për çdo lloj rasti një shprehje të tij. Unë po i shkruaj nga një letër çdo ditë. Ndoshta dy fjalë, por ia shkruaj gjithmonë, si për të ruajtur atë kontaktin. Ëndrra ime është që t’i transmetoj vajzës time se çfarë gjyshi kishte”, tha Rudina.