Nga Ardit Rada
Pyetjes nëse Sali Berisha do të jetë kandidat në listat e Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur me një lloj karshillëku të enjten mbrëma. Ai konfirmoi se jo vetëm Berisha do të ishte deputet sërish pas prillit të vitit 2021, por madje ka dorë të lirë ta zgjedhë qarkun ku do të listohet. E thënë siç e tha Basha: “Do të garojë ku të dojë”.
Sigurisht që deri më sot nuk ka qenë e vështirë të shquhej se Sali Berisha qëndron pas çdo vendimarrjeje të rëndësishme në Partinë Demokratike. Ai ka dhënë bekimin pë spastrimin e partisë nga kundërshtarët e Bashës, ka mbështetur dhunën brenda dhe jashtë Kuvendit me thirrje të hapura, ka përpiluar “strategjinë” e djegies së mandateve dhe atë të bojkotit të zgjedhjeve.
Pra, që Berisha ka dorë të lirë të bëjë ç’të dojë në PD nuk habit askënd. Me gjasë, Basha nuk arrin ta dallojë se kur pyetet për Berishën askush nuk e vë në dyshim që mund të bëjë çfarë të dojë në atë parti, por thjeshte ekzistojnë fije dyshimi se ky njeri normalisht, në një moshë të caktuar mund të tërhiqet nga politika aktive.
Gjithësesi kandidimi i tij është paralajmëruar prej një muaji teksa figura kyçe brenda PD e kanë cilësuar si një ish-deputet shumë aktiv përmes denoncimeve në internet. Pra si kontribute tashmë i njihet qytetari dixhital. Por në përgjigjen e djeshme të Bashës është e tepërt përulja që ai nuk e fsheh më. Kreu i PD harron se për përzgjedhjen e kandidatëve, është ngritur ai Komisioni që po veton propozimet e bazës dhe jo vetëm.
Për hir të show-t që na ka ofruar me komisionin në fjalë se partia po rinohet, duhej që sëpaku të mos e shtonte në përgjigje atë pjesën se Berisha mund ta zgjedhë ku dhe si të dojë qarkun.