Rikthehet Këshilli Politik. Përfaqësuesi i maxhorancës në këtë Këshill, Damian Gjiknuri ka propozuar thirrjen e tryezës ditën e hënë, në orën 18:00/ Me anë të një mesazhi, Gjiknuri shprehet se Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvend ka përcaktuar nevojën për reflektimin në Kodin Zgjedhor të këtyre ndryshimeve Kushtetuese.
Sipas tij, ditën e Hënë, 14 Shtator, është përcaktuar mbledhja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore ku do të miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor. “Në frymën e dialogut të konsoliduar mes palëve në tryezën e Këshillit Politik, me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë në këtë proces, propozoj thërritjen e tryezës së Këshillit Politik ditën e Hënë, datë 14 Shtator, ora 18:00”, shkruan Gjiknuri.
Mesazhi i plotë
Të nderuar koleg,
Siç jeni në dijeni, në seancën e datës 30 Korrik 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare.
Këto ndryshime në Kushtetutë sanksionuan hapjen e listave të kandidatëve duke u dhënë të drejtën qytetarëve për të votuar përveç subjektit politik edhe për kandidatin e tyre të preferuar.
Pas hyrjes së tyre në fuqi, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Kuvend ka përcaktuar nevojën për reflektimin në Kodin Zgjedhor të këtyre ndryshimeve Kushtetuese.
Ditën e Hënë, 14 Shtator, është përcaktuar mbledhja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore ku do të miratohet krijimi i një grupi pune për reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Në frymën e dialogut të konsoliduar mes palëve në tryezën e Këshillit Politik, me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë në këtë proces, propozoj thërritjen e tryezës së Këshillit Politik ditën e Hënë, datë 14 Shtator, ora 18:00.
Tryeza propozoj të mbahet si gjithnjë në ambientet e sallës ovale të Pallatit te Kongreseve.
Faleminderit,
Damian Gjiknuri
Përfaqësues i Partisë Socialiste