Juventusi vazhdon kërkimet për qendërsulmuesin që do Andrea Pirlo, pasi rrugët me Higuain do të ndahen. Ditët e fundit ishte lokalizuar emri i duhur, Luis Suarez, madje flitej edhe për një marrëveshje në parim. Sidoqoftë, sipas asaj që raportohet nga “La Stampa”, qëndrimi i Leo Messit te Barcelona mund ta bindë mikun dhe kolegun e tij të madh uruguajan të mos largohet nga “Camp Nou” edhe këtë sezon që i ka mbetur në kontratë.

Të dy mund të vendosin ta kalojnë së bashku edhe vitin e mbetur te Barcelona dhe më pas të largohen në qershor 2021. Në fakt, kontrata e uruguajanit skadon në një kohë me atë të kapitenit. Nëse kjo hipotezë do të konfirmohej në orët e ardhshme, Juventusi do të detyrohet menjëherë të kthehet në garë për emra të tjerë. Gjithmonë ekziston emri i Edin Dzeko, të cilin Pirlo e kishte shpallur ndër të preferuarit e tij në klub.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, marrëveshja me boshnjakun pengohet nga komunikimi i vështirë midis Romës dhe Napolit. Shkuarja e Milik te verdhekuqtë është e bllokuar. Në mënyrë që Dzeko “të martohet” me bardhezinjtë, duhet që sulmuesi i Napolit të transferohet në kryeqytet. Sidoqoftë, boshnjaku mbetet shumë më tepër sesa një plan i thjeshtë B.

Që mbrëmë, te “Zonja e Vjetër” ka nisur të lakohet edhe Edinson Cavani. Në orët e kaluara, kontaktet me lojtarin janë riaktivizuar, për të kuptuar nëse ekziston dëshira për t’iu bashkuar Juventusit apo jo, meqë ka një të kaluar me Napolin. Sa i takon qendërsulmuesit, padyshim që emri i Luis Suarez nuk duhet të hiqet nga lista. Lojtari uruguajan tërhiqet nga ideja e të luajturit në Serie A, por e pengon mospasja e pasaportës së komunitarit.