Procesi i Rindërtimit është duke ecur me ritme të shpejta në zonën e Thumanës, ku pritet të ndërtohen rreth 170 shtëpi individuale dhe gjithashtu pallate dhe institucione shtetërore, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar.

Banorët e Thumanës shprehen entuziast për ecurinë e punimeve dhe për faktin se ndërtimet moderne në një nga zonat më të prekura nga tërmeti pritet të jenë një stimul i rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin.

“Rindërtimi është një mundësi që Thumana ka për të lënë pas tërmetin. Unë them se do të bëhet diçka e mirë në Thumanë, me shpresë të zotit dhe qeverisë. Nga fjalët që kemi dëgjuar projekti është shumë i mirë, punimet po vijojnë shumë mirë, kanë nisur”,- tha një zotëri për ATSH.

Një zonjë, banore e Thumanës tha se pret të marrë atë që ka humbur. “Mirë duket, ne të kënaqur jemi me punën që po bëhet. Na kanë thënë që do të marrim atë që kemi humbur”,- tha ajo.

“Atje i mbajmë shpresat, jemi në çadër që prej ditës që ra tërmet, shpresë kemi. Është lajm i mirë që puna ka nisur për këtë projekt të rindërtimit. Është një gjë e mirë për të gjithë Thumanën”,- tha një e moshuar,

“Ne si banor jemi të kënaqur për punën që po bëhet. Jemi të kënaqur prej punës së kryebashkiakut Bushi. Po jepen dëmshpërblimet. Ato që kanë shtëpi të pabanueshme do marrin shtëpi tek lagjia e re që po ndërtohet. Është një punë e lavdërueshme. Nuk jam vetëm unë që përfitoj por jemi shumë”,- tha një zotëri tjetër

“Të flasim hapur, po bëhet një punë në drejtimin e duhur. Jemi shumë optimist se po bëhet një punë e mirë dhe e domosdoshme. Kryeministri tha se do bëhet një vend turistik, si Belshi, Puka…etj. Jam optimist që edhe këtu do bëhet”,- u shpreh një tjetër zotëri.

Drejtuesi i punimeve në kantierin e Thumanës, Fisnik Zenelhasani, u shpreh se punimet po vijojnë me ritme të larta.

“Këtu jemi në kantierin e Thumanës në zonën e prekur nga tërmeti i nëntorit dhe shtatorit. Kjo zonë është e ndarë në dy zona, zona 1, ku do të ndërtohen 170 shtëpi individuale dhe zona 2 që përfshin pallatet dhe institucionit, po ashtu dhe terrenet sportive dhe hapësirat publike. Po punohet me ritme shumë të shpejta. Janë kryer 45% e punimeve. Ka mbaruar rreth 80% e shesheve të ndërtimeve të shtëpive individuale dhe ndërkohë po punohet me rrugët e aksesit të shtëpive si dhe pallateve dhe institucioneve. Konkretisht Ka mbaruar betonimi i kanalit të shkarkimit të rezervuarit, mbushja me çakull e gjithë rrugëve të brendshme dhe të shtëpive e pallateve. Po punohet për ujërat e shiut dhe të zeza, si dhe tensionit të mesëm. Në këtë drejtim në dy tre muaj përfundojmë 90% të punës”,- theksoi Zenelhasani.