Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se çështja e debatueshme e detit nuk është si çështja e tenderave të LSI-së.
Rama kujtoi marrëveshjen e vitit 2009, duke theksuar se ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe personat përkatës, sipas tij, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, cenuan interesin kombëtar.
Rama foli edhe për marrëveshjen e sapo arritur, ndonëse të kontestuar mes Kosovës dhe Serbisë, në SHBA.
“Ishte një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy shteteve. Ishte tejet e rëndësishme që në funksion të këtij momenti ishte njohja e Kosovës nga Izraeli”.
“Përtej faktin që u njoh nga Izraelit dhe në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshja nuk kishte asgjë të re”, theksoi Rama.
“Ato ishin të skicuara në Procesin e Berlinit. Refuzimi absurd për të ecur në atë drejtim ka sjellë vetëm humbje kohe që ka dëme të pallogaritshme, humbja e kohës nga patriotizmi fals dhe nga një luftë imagjinare me një fqinj që ishte dje armik, sot është një fqinj me të cilin shqiptarët kanë llogari të hapura për të adresuar ndërkohë që llogaritë e hapura nuk mund t’i adresosh në kushtet e paqes të bësh sikur je në luftë”, u shpreh Rama.
“Ajo që mbetet mbresëlënëse është se qorr-shurdhëria e atyre që i kanë veshët dhe sytë dhe nuk duan të shohin ndaj fakteve, e kanë dëmtuar Shqipërinë dhe Kosovën. Absolutisht! Dëgjova njërin këtu që thoshte nuk e lëshojmë detin ne. Nuk e lidha zërin me fytyrën për shkak se ishte me maskë. I them se edhe po të duash ta lëshosh, nuk e lëshon dot. E dyta, kushdo që do të donte ta lëshonte, nuk e lëshon dot. E treta mos u bëni qesharak dhe kaq të poshtër, dmth poshtërisht qesharak. Ata që i frynë zjarrit e dinë që nuk ka asgjë të vërtetë”.
Për ata që flasin sot për detin, Rama tha, “nisen me varka mono për të mbrojtur detin në mes të diellit dhe dalin në deklarata të veshur me kostum për të mbrojtur detin. Kë det po mbroni? Keni konstatuar gjë që ka ndonjë zbythje deti drejt Greqisë? Mos ka dalë ndonjë tokë atje? Deti aty është”.
“E dyta, nuk është dot as deti, as toka dhe as ajri një materie që mund të ndahet sikur i ndante tenderat LSI kur kishte Autoritetin Rrugor Shqiptar. Kur ndahet deti bëhet me persona të autorizuar dhe jo me muhabet varkash. Personat paraqesin konkluzionet dhe i çojnë tek autoritetet. Nëse qeveria e firmos, ka një autoritet që është President i Republikës, i cili nuk e di pse është futur, pasi ai e di se vendos ai”, – theksoi Rama.
“O shqipe që fluturoni lart me perime dhe zarzavate, nuk ka bisedime me Greqinë. Nuk ka marrëveshje shqipe”, – tha më tej kreu i qeverisë duke akuzuar opozitën për partiotizëm “fals”.
“Më e bukura është se ata që e lëshuan detin sot kanë dalë ta mbrojnë. Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha. Monika në atë kohë nuk kishte lopata dhe nuk e pyeste njeri, bënë marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë e bënë me firmë dhe vula zyrtare. E firmosi me buzëqeshjen më të gjatë në portretin e Lulzim Bashës që kam parë unë. Zakonisht e ka buzëqeshjen kilometrike, ajo është buzëqeshje me milje. Po ta shikonim nga mbrapa, buza e qeshur do shkonte edhe nga mbrapa, por nuk kam prova për këtë”.
“Ka dalë Ilir Meta, u shpreh Rama, – “dhe e ka mbrojtur me gjithë peshën e tij në qeveri dhe fizike, ishte dyfish në atë kohë. Nuk kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese thashetheme”.
“Vetëm në Shqipëri mund të ndodh kjo, edhe në Kosovë që një kryetar shteti thotë një fjali dhe këtu plas peshku. Ne kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese një marrëveshje të firmosur dhe nuk e bëmë pazar peshku dhe vendosi 9 me 0 dhe e quajti marrëveshje që cenon interesat kombëtare. Këta janë fajtor për cenim të interesave kombëtare”.