Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin grek, Mega, ku ka folur lidhur me deklaratat e kryeministrit Mitsotakis i cili tha se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në det. Gjatë intervistës Rama thotë se ndryshe nga Italia dhe Egjipti, në rastin e Shqipërisë, Greqia duhet të bëjë marrëveshje për zgjerimin e vijës bregdetare, dhe se çështja mund të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare. Gjithashtu Rama shprehet se çështja e detit mund të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare dhe këtë ide e kishte ndarë edhe me homologun grek.

“Ne nuk e mirëpritëm asnjë marrëveshje. Ne sapo kaluam një përvojë absurde tipike ballkanike dhe klasike të patriotizmit të rremë, i cili ndezi formën më ekstreme të zjarrit, pasi Kryeministri juaj iu drejtua parlamentit, gjatë diskutimit të marrëveshjeve detare me Italinë dhe Egjiptin. Kishte një diskutim në lidhje me të drejtën e vendit për të zgjatur ujërat territoriale në 12 milje, e cila bazohet në traktatin ndërkombëtar të Montegos. Çdo vend që ka dalje në det ka të drejtën dhe nuk është diçka për të cilën negocioni ose kërkoni nga të tjerët të zgjerojnë ujërat tuaja atje ku është e mundur. Kur kjo nuk është e mundur, vendet duhet të vijnë në një marrëveshje, ndërsa çështja midis Greqisë dhe Shqipërisë është e veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të vazhdojnë me zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa marrëveshjen ndërmjet tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur. Ne jemi pranë njëri-tjetrit, nuk mund të bëjmë gjëra vetëm ose nuk mund të jetojmë pa e kuptuar dhe pa respektuar faktin që tjetri është pranë nesh. Ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe jam i bindur që do të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh kryeministri Rama.