Kryeministri Edi rama përkujtoi sot përmes rubrikës “Homazh” , Safet Butkën, i cili ndikoi që arsimi të kthehej në Shqipërinë e viteve ‘30, në një prioritet mbarëkombëtar.
Statusi i plotë: Safet Butka nuk mund kurrësesi të harrohet dhe vepra atdhetare e iluministe e tij, kurrësesi nuk mund të mos vlerësohet. Siç kishte luftuar trimërisht në aq e aq beteja babai i Safetit, Saliu, po aq trimërisht luftoi, derisa hoqi dorë nga kjo jetë edhe i biri, Safeti, më 19 shtator të vitit 1943. Vdekja e tij sa tragjike, po aq sa edhe simbolike nuk tronditi vetëm lëvizjen nacionaliste, por edhe me dhjetra partizanë të Nacional-Çlirimtares, të cilët në gjimnazet e ndryshëm të vendit ku pat dhënë mësim, e kishin pasur mësues e udhëheqës shpirtëror.
Shqiptari shqiptarit, vetëm vëllazëri dhe përparim të përbashkët duhet t’i mbrothësojë. Kjo ishte bindja për të cilën edhe në fund e shkriu vetë jetën e tij Safet Butka. Asokohe për djalërinë, t’i përngjasoje Profesorit ishte kthyer në një ambicje, në një qëllim në vetvete, ndërsa motoja e tij, “T’i jepet mësimit trajta e lodrës, shkollës forma e familjes dhe mësuesit roli i prindit”, ishte e mishëruar në shembullin e tij.
Profesor Safeti u formua në Linz e në Grac, për mësuesi e filozofi dhe dha mësim duke shënjuar formimin e disa brezave, nga Korça në Vlorë e nga Gjirokastra në Tiranë. Nuk mëkoi vetëm lëndë mësimore e didaktike pedagogjike, por shëndoshi mendjet dhe karakteret e nxënësve dhe trupës pedagogjike, nëpërmjet shembullit të njeriut që në beben e syrit ka barazinë e aksesit në dije dhe mirëqënie të të gjithëve, meritokracinë dhe drejtësinë në trajtim të çdo anëtari të stafit, organizimin në struktura sindikale për të mbrojtur të drejtat e mësuesve dhe pedagogeve. Me përpjekjet e tij dhe falë emrit familjar që diti ta mbajë me nder, por edhe me shumë autoritet, Safeti ndikoi që arsimi të kthehej në Shqipërinë e viteve ‘30, në një prioritet mbarëkombëtar.
Si inspektor i arsimit nuk u kthye kurrë në censor të kulturës dhe fjalës së lirë. Përkundrazi, i promovoi sa mundi këto parakushte të të drejtave themelore. Kur, më 30 shtator 1938, Safet Butka u lëviz nga kjo detyrë për t’u emëruar drejtor i gjimnazit shtetëror të Tiranës, nxënësve të atëhershem iu duk se zunë Perendinë me dorë. Së bashku organizuan qëndresën e parë kundër pushtimit, më 7 prill 1939, duke mbledhur armë dhe municione. Fashistet e larguan paskëtaj në Shkodër Safetin, prej ku e pezulluan nga detyra dhe e internuan në Ventottene, për shkak të veprimtarisë së spikatur antifashiste.
Deri më 19 shtator 1943, veprimtaria e tij në shërbim të kombit dhe djalërisë do të zhvillohet fuqishëm, sikundër fuqishëm do të perceptohet prej tij rreziku i një paslufte tragjike. Sa mundi, ai iu bë pengesë skenareve katastrofike të perçarjes e vëllavrasjes. Atëherë kur e kuptoi që skena e luftës do të shndërrohej pashmangshmërisht në një skenë asgjësimi për pushtet, burrërrisht dhe ndershmërisht, e uli me dorën e tij siparin e jetës dhe mbylli sytë me Shqipërinë një dhe të pandarë në mendje.