Kryeministri Edi Rama ka qenë nje dite me pare për një vizitë në Shkodër, nga ku ka hedhur akuza ndaj kryetares së Bashkisë, Voltana Ademin se hyrjen e qytetit e ka bërë njësoj si Zimbabve. Teksa inspektoi punimet për Bypassin, Rama tha se kryebashkiakja Ademi duhet të pastrojë hyrjen e Shkodrës.
“Që të ketë besueshmëri kryetarja e Bashkisë këtu se nuk dua të bëj polemika me atë, por është e pamundur ti shmangësh lidhur me bezdinë që krijon për të parë, duhet të provojë që syri i saj që shqetësohet duke parë atë Zimbabve që ka lënë në hyrje dhe pasi ta pastrojë atë dhe të japë një provë që syri i saj sheh dhe shqetësohet kur i prishet niveli i horizontit për të parë të ardhmen atëherë mund ta diskutojmë.
Po ta diskutojmë për ta bindur që këtu nuk bëhet fjalë për të bërë një rrugë, as për të bërë një shëtitore, por për të ndërtuar një bypass të qytetit që është dhe digë mbrojtëse nga përmbytjet. Në këtë pikë kjo temë nuk është e sotme, kjo është diskutuar qysh në kohën që qeveriste partia e zonjës kryetare. Në këtë pikë sugjerimi i specialistëve në atë kohë dhe në këtë kohë është i vetmi për tu ndjekur, Ndërsa syri i shqetësuar i Voltanës duhet të japë prova që meriton përgjigje. Sepse kur sheh atë Zimbabve atje të rrëqethet mishi”, tha Rama.