Për herë të parë pas 5 muajsh tregu i punës ka rezultuar me rritje të të punësuarve, pas goditjes që morën shumë sektorë që prej nisjes së masave shtrënguese gjatë pandemisë së Covid-19. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në 10 ditët e para të muajit Gusht tregu i punës rezulton me 3 mijë të punësuar të rinj që prej Marsit, kur nisi dhe mbyllja e bizneseve.

Rritja më e madhe e papunësisë u shënua në fund të Prillit, ku 43 mijë individë dolën nga sistemi i sigurimeve shoqërore, shifër e cila nisi të përmirësohej me lirimin e masave dhe rihapjen e aktivitetit ekonomik. 43 mijë individët e dalë të papunë kanë hyrë në tregun e punës, ndërsa janë shtuar edhe 3 mijë persona të rinj.

Shifra e papunësisë ishte një nga shqetësimet kryesore të krizës së pandemisë, për shkak se shumë kompani u mbyllën dhe një pjesë shkurtuan vendet e punës. Papunësia në Shqipëri është reduktuar në nivelin më të ulët prej 11.2% në fund të 2019-s, por pësoi një rritje me 0.2% në tremujorin e parë të këtij viti, ku vetëm me efektin e 10 ditëve të muajit Mars, listës së të papunëve iu shtuan zyrtarisht 2.252 individë.