Dy prej qyteteve më të mëdha franceze, Marsejë dhe Bordo, ku koronavirusi po përhapet me ritme tejet të shpejta, kufizojnë aktivitetet publike, ndërsa qeveria përpiqet me çdo kusht të shmangë një izolim të ri kombëtar.
Në Marsejë, ku kapaciteti në terapitë intensive është drejt ezaurimit mes rritjes së shpejtë të rasteve me koronavirus, autoritetet ndalojnë klientët të qëndrojnë në këmbë në bare, apo të konsumojnë alkool në publik. Grumbullimet me mbi 10 persona nuk do të jenë më të lejueshme në parqet dhe plazhet e qytetit dhe çdo event me më shumë se 1 mijë pjesëmarrës do të anulohet.
Një kufizim i tillë prek vendet të tilla si stadiume, sallat koncertesh, e gjithashtu demonstrata e panaire. Në Bordo, prania e shtuar policore do të garantojë respektimin e masave të ngjashme. Autoritetet nxisin qytetarët të mos organizojnë mbledhje familjare për momentin.
Franca përballet me dhimbje të dyfishtë koke ndërsa përpiqet të rigjallërojë ekonominë e prekur rëndë nga COVID-19, e njëkohësisht të ulë kurbën e infektimeve të reja të cilat po rriten që prej muajve të verës. Të shtunën u shënua një shifër rekord prej më shumë se 10 mijë rastesh.
Gjithashtu Portugalia vendosi të shtrijë në të gjithë vendin masat që deri më tani vlenin vetëm për Lisbonën, të tilla si kufizimin e grumbullimeve deri në 10 persona dhe ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike pas orës 20.