Nga Eduard Zaloshnja
Në një intervistë në media, Jozefina Topalli deklaroi se rrotacioni nuk do të sillte një revolucion në mënyrën e qeverisjes. Sipas saj, Lulzim Basha, në qoftë se do të bëhet kryeministër, do të bashkëpunojë me po të njëjtin grusht oligarkësh që ka bashkëpunuar deri më sot Edi Rama. Prandaj Topalli bëri thirrje për një lëvizje qytetare, të ngjashme me të Bjellorusisë, që do të dërgonte në shtëpi si Edi Ramën, edhe Lulzim Bashën.
Në fakt, lindja e një lëvizje të tillë qytetare do të ishte e mirëpritur për të gjithë ata që janë zhgënjyer me elitën politike shqiptare, sepse në 30 vjet nga rrëzimi i diktaturës, Shqipëria ka mbetur e fundit rajon, në renditjet që bëjnë institutucionet dhe organizatat perëndimore për shumë fusha të rëndësishme, si ekonomia, varfëria, financat e shtetit, demokracia, mediat, korrupsioni, drejtësia etj. Dhe në këta 30 vjet, të treja partitë kryesore e kanë patur në dorë drejtimin e jetës së vendit (kush më shumë e kush më pak).
Sidoqoftë, Topalli e di mirë se nga e thëna në të bërë, shtrihet një det i tërë… Gjatë 30 vjetëve të fundit, shqiptarët janë ngritur në protesta jo të organizuara nga partitë politike aktuale vetëm kur u është rrezikuar jeta (siç menduan se do t’u rrezikohej nga ardhja e lëndëve kimike siriane) ose kuleta (si në rastin e shëmbjes së skemave piramidale, apo në rastin e rritjes së pagesave të studentëve për provimet e prapambetura).
Për një lëvizje të gjerë qytetare që do t’i kundërvihej të gjithë elitës politike të vendit ndoshta duhen pritur vite, në mos dekada… Ndërkohë zgjedhjet e rradhës janë vetëm 7 muaj larg. Dhe shqiptarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse do të votojnë për partitë në pushtet, për partitë në opozitë, për partitë e reja, apo për asnjerën.
Nga sondazhet që kam zhvilluar deri më sot, më rezulton se deri më 25 prill, gjasat janë që të bëhen rreth 1.5 milionë banorë të rritur të gatshëm për të shkuar në kutitë e votimit. Ndërsa rreth 700 mijë të tjerë ka gjasa të mos votojnë (koha për realizimin e votimit me postë të emigrantëve duket e shkurtër). Deri më sot, banorët e rritur mosvotues nuk kanë dhënë ndonjë shkëndijë për lëvizje masive qytetare, siç e shpreson Topalli. Me pak fjalë, çfarë do të ndodhë me qeverisjen në vitet në vazhdim do ta përcaktojnë vetëm ata 1.5 milionë që do të votojnë…
Në fakt, barra e përcaktimit të qeverisjes për mandatin e ardhëshm do të bjerë vetëm tek 250-300 mijë banorë të rritur, sepse pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në zgjedhje janë votues të vendosur të njërës apo tjetrës palë. Ndër votuesit e lëkundur (250-300 mijë), disa mund të vendosin në fund që të mos shkojnë në votim, kurse disa të tjerë do ta vendosin afër zgjedhjeve se për cilën parti do të votojnë. Me fjalë të tjera, këta 250-300 mijë do të përcaktojnë nëse do të ketë rrotacion apo jo…
Dhe kuptohet që rrotacioni (në qoftë se ndodh) nuk do të jetë revolucioni që pret Topalli. Thjesht do të zëvendësohen disa ministra socialistë me disa ministra demokratë e lsistë. Sidoqoftë, historia e rrotacioneve në Shqipëri, ka treguar se, të paktën në vitet e para, ministrat e rinj dhe kryeministri i tyre i japin një impuls jetës së vendit. Për rrejdhojë, në vitet e para, Shqipërisë i rriten pikët në renditjet që bëjnë institutucionet dhe organizatat perëndimore për shumë fusha të rëndësishme, si ekonomia, varfëria, financat e shtetit, demokracia, mediat, korrupsioni, drejtësia etj.