Reforma në drejtësi është e pandalshme dhe e pakthyeshme dhe gëzon mbështetjen totale të qytetarëve shqiptarë dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot delegacionin parlamentar francez të grupit të miqësisë me Shqipërinë, i cili ndodhet për vizitë në Shqipëri, me ftesë të Kryetares së grupit parlamentar të miqësisë më Francën, deputetes Mirela Kumbaro.

Vizita e delegacionit të grupit parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri, është pjesë e aktiviteteve, shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Francës.

Ruçi, falenderoi delegacionin parlamentar francez për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë si edhe të popullit shqiptar për mbështetjen e Francës për hapjen e negociatave nga Këshilli Europian, në mbledhjen e marsit të këtij viti.

“Duke shprehur mirënjohjen e Shqipërisë për qëndrimin e Francës dhe të Presidentit Macron për hapjen e negociatave, dëshiroj t’ju përcjell mesazhin se dëshira e shqiptarëve është që vëmendja e Francës dhe e Presidentit Macron për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor të vazhdojë dhe të rritet.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Në përgjigje të interesimit të deputetëve, anëtarë të delegacionit, Kryetari Ruçi u ndal në punën e Kuvendit të Shqipërisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian, thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi, e cila është e pandalshme dhe e pakthyeshme dhe gëzon mbështetjen totale të qytetarëve shqiptarë dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

“Tashmë janë ngritur e bërë funksionale shumica e organeve të reja të qeverisjes së sistemit dhe po punojmë fort për të bërë sa më shpejt funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë”, nënvizoi Ruçi.

Kryetari i Kuvendit u shpjegoi deputetëve francezë edhe punën e Kuvendit për përfundimin e reformës zgjedhore si edhe kontributin e për përmirësimin e legjislacionit për barazinë gjinore dhe mbrojtjen e mjedisit, si edhe fuqizimin e kontrollit parlamentar.

Kryetarja e Grupit, deputetja Mireille Clapot, si edhe anëtarët e delegacionit falenderuan Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen e bashkëpunimit shumë të mirë midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Francës dhe nënvizuan se miqësia e mbështetja për Shqipërinë vjen jo vetëm nga grupi i miqësisë, i cili përbëhet nga deputetë më përvojë dhe përfaqësues të nga të gjitha grupet parlamentare, por nga të gjithë deputetët francezë. Ata nënvizuan se mbështetja e Francës për Shqipërinë do të vazhdojë.