Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi deklaroi sot në 3 muajt e fundit po shikojmë një rimëkëmbje të ekonomisë dhe rikthim të punonjësve që u larguan nga puna për shkak të COVID-19 sërish në punë. “Ekonomia ka vijuar të rimëkëmbet. Vëmë re një trend pozitiv, një pjesë e qytetarëve që u larguan nga puna për shkak të COVID-19 po rimerren përsëri në punë. Ne tashmë jemi përqendruar te sipërmarrjet që janë të prekura dhe punonjësit e pakthyer në punë dhe po shikojmë si mund t’i mbështesim”, deklaroi ai gjatë një interviste në medie.

Sipas tij, dy paketat financiare të qeverisë u fokusuan kryesisht te qytetari që u prek në punën e tij për shkak të COVID-19 Ministri shpjegoi se sektori i turizmit është goditur më tepër nga pandemia, por vuri në dukje ai, frekuentimi i zonave turistike nga vet qytetarët shqiptare, ajo që ne kemi quajtur “turizmi patriotik” e ka lehtësuar krizën në këtë industri.

Nga ana tjetër, Shalsi tha se sektori i bujqësisë nuk është prekur nga pandemia e COVID-19. Shalsi apeloi për zbatimin e masave që parandalojnë përhapjen e infeksionit COVID-19, pasi theksoi ai, ekonomia shqiptare nuk duhet të hyjë në një mbyllje tjetër, pasi do të sillte pasoja.

“Duhet të sensibilizohen të gjithë për të zbatuar masat parandaluese në mënyrë që të mos arrijmë te mbyllja”, deklaroi Shalsi. Lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë, ministri u shpreh se një pjesë e mirë e sipërmarrjes e kanë çuar prej kohësh në këtë nivel pagën minimale. “Nuk mundet që një punonjës të jetojë me një pagë minimale prej 26 mijë lekësh. Edhe kur e rritëm në 26 mijë lekë pati vështirësitë e veta fillimisht, por koha provoi se sipërmarrjet kishin punonjës më të motivuar, performonin më mirë dhe në një farë mënyrë pjesa e rritjes së shpenzimit si pasojë e rritjes së pagës minimale kthehet përmes produktivitetit më të lartë”, deklaroi ministri.