E ardhmja e Luis Suarez është tema kryesore në shtëpinë e Barcelona-s. Sulmuesi nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri Koeman, i cili e ka lënë jashtë edhe në miqësoret përgatitore për sezonin e ri. Futbollisti po negocion me klubin dëmshpërblimin për prishjen e mundshme të parakohshme të kontratës dhe nuk ka ndërmend të largohet pa e marrë.

Ai stërvitet si një profesionist i vërtetë, por siç kanë bërë të ditur të përditshmes sportive spanjolle, mes palëve po zhvillohet një mundje e vërtetë krahu. Maxima tension, këto janë fjalët në faqen e parë të Sport, që tregon se çfarë po ndodh me Luis Suarez te Barcelona. Suarez duket se nuk ka ndërmend t’i bëjë asnjë lëshim klubit, duke parë se ka akoma edhe një vit në kontratë. Njëkohësisht katalanasit po kërkojnë të gjejnë një rrugëdalje me skuadrat që interesohen për lojtarin. Një nga këto është Juventus-i, por që nuk ka ndërmend t’i paguajë asnjë dëmshpërblim Barcelona-s. Rreziku, në këtë pikë, është që Suarez jo vetëm të mos shitet, por edhe që ta kalojë të gjithë sezonin në tribunë.