Në kulmin e debatit për situatën në spitalet COVID e veçanërisht te sanatoriumi “Shefqet Ndroqi”, ku ditë më parë 2 pacientë u hodhën nga ballkonet, News24 vendosi të hyjë brenda për të vëzhguar në vend atë çfarë ndodh në këtë spital. Në këtë spital po trajtohen 102 pacientë, te moshave nga 17 deri ne 94 vjeç, 9 nga të cilët janë në gjendje të rëndë në reanimacion. Hyrja te “Shefqet’ Ndroqi ndalohet, dhe të autorizuarit mund të futen vetëm me veshjet e posaçme. Kryeinfermierja Hëna Dumi na shoqëron në dhomën e veçantë, ku u veshëm të asistuar nga disa infermierë. Është një ditë e nxehtë shtatori dhe veshja mbrojtëse nuk ta bën punën të lehtë.

Përpara se të hyjmë në pavijone, drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi” prof. Perlat Kapisyzi duhet t’iu përgjigjet disa pyetjeve tona, që burojnë nga shqetësimi publik. Pse këtu ndodhën 2 vetëvrasje? Pse nuk ka psikologe ne spital? A janë te gjitha medikamentet e duhura? A lejohen celularët dhe a mbahet komunikimi me familjarët e pacienteve?

Lidhur me dëshmitë e disa familjareve të pacientëve që thonë se iu dërgojnë ilaçe të afërmve brenda spitalit, sepse ato mungojnë, profesor Kapisyzi thotë se pacientet kane 99% të mjekimit, përveç xareltos që nuk është bar spitalor dhe është antikoagulant i domosdoshëm, të cilin të sëmurët e përdorin edhe në shtëpi pas daljes nga spitali. Ne u interesuam dhe mësuam se Xarelto është një preparat shumë i shtrenjtë, një tablet i të cilit kushton 3 euro. Duke folur për ngjarjet tragjike që ndodhën ne spital, drejtori i tij pranon mungesën e psikologëve, por përmend edhe një arsye tjetër. Ai thotë se familjarët e fshehin historikun e sëmundjeve të pacientit, duke e bërë të vështirë trajtimin.

Profesor Kapisyzi thotë se stafi është i mjaftueshëm që çdo pacient të jetë i asistuar sa herë që ka nevojë. Ankesave publike të familjarëve se nuk dinë asgjë për atë që ndodh brenda spitalit, ai iu përgjigjet duke thënë se familjarët informohen për gjendjen e pacientit dhe rreth vendimit për intubimin e tyre.

Profesor Kapisyzi bën thirrje që pacientët ta vlerësojnë sëmundjen dhe të kërkojnë sa më shpejt asistencën e mjekut të familjes, sepse vonesa është e rrezikshme. Pres me padurim të ngjitemi në pavijone e të takoj pacientët. Më shoqërojnë në dhomat ku ka pacientë, gjendja e të cilëve i lejon të komunikojnë. Korridoret janë të mbushura me mjekë e infermiere, të cilët dëshirojnë të shprehen pas debateve publike të zhvilluara së fundi rreth shërbimit në këtë spital.

Pata një ndjesi të veçantë kur u drejtova te dhoma e parë me pacientë COVID. Aty takoj Mark Simonin, një koleg gazetar që prej 5 javësh ishte në terapi intensive. Fatmirësisht tani ishte më mirë dhe u gëzua kur na pa, sepse edhe ai si gjithë pacientët COVID në spitale e ndien mungesën e njerëzve. Të vetmit bashkëbisedues për të janë mjekët, infermierët, shoku i dhomës dhe celulari. Marku tregon historinë e tij dhe është i keqardhur që njerëzit flasin pa e ditur se ç’ndodh në të vërtetë aty brenda.