-“Djem dhe vajza, burra dhe gra, të vendosur të bëjnë histori në Kamëz me një fitore bindëse në 2021-shin për mandatin e tretë me Edi Ramën Kryeministër”. Kështu deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë takimit të zhvilluar sot në Kamëz me Asamblenë Socialiste të Bashkisë. “Pushteti për ne nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të arritur qëllime të larta. Të zhvillojmë komunitetet tona. Të transformojmë realitetet tona. Të ndryshojnë të ardhmen e fëmijëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë”, tha Spiropali.
“Qeveria dhe bashkia po investojnë në Kamëz më shumë se në 30 vite të marra bashkë. 20 shkolla të reja moderne, kopshte, çerdhe, banesa individuale, qendra lagjesh, kanalizime, ujësjellës, legalizime, e shumëçka tjetër. Për ta kthyer Kamzën nga një zonë periferike të shfrytëzuar si hambar votash për ata që abuzuan barbarisht me besimin e njerëzve, në një qendër urbane moderne dhe dinjitoze ku mund të jetohet me punë dhe nder. Kur energjitë mbinjerëzore të individit dhe të familjeve nuk shkojnë dëm, por përkthehen në të mira kolektive”, tha ajo.
“Me respekt, me punë, me besim, të gjithë bashkë do ia dalim ta bëjmë Kamzën shembull në Qarkun Tiranë”, u shpreh Spiropali.