Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet 19,1 miliardë lekë, në periudhën janar-korrik të vitit 2020. Për shkak të situatës së krijuar prej infeksionit të COVID-19, këto të ardhura rezultojnë më të ulëta se sa planifikimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në fillim të vitit. Por, qeveria thotë se po harton një plan rimëkëmbjeje me fokus investimet në infrastrukturë dhe energji çka do të rrisë edhe punësimin.

Të ardhurat personale që tatohen janë të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat, nga interesat bankare, nga dividendët, nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe nga burime të tjera të ardhurash. Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale.

Nga 1 janari i vitit 2014, qeveria po zbaton një politikë të re taksash mbi të ardhurat personale që njihet si taksimi progresiv. Sipas ligjit të ri të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013.

Konkretisht norma tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi sipas nivelit të pagës bruto zbatohet sipas kategorive; 0% për pagën mujore bruto deri 30 000 lekë; 13% për pagën mujore bruto 30 001 – 150 000 lekë si dhe 23% për pagën mujore bruto mbi 150 000 lekë. Ndërkohë, individët që kanë më shumë sesa një pagë, nga 1 janari 2020 deklarojnë të ardhurat dhe do të llogarisin tatimin si mbi një pagë të vetme për vitin paraardhës nëse kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit.