Kjo e dielë do të mbahet mend gjatë për familjen Çekirri në Ndroq. Pas disa muajve të kaluar në çadër, pas tërmetit të 26 nëntorit, ajo mori sot çelësat e shtëpisë së re, e cila është jo vetëm më e sigurt, por dhe me kushte shumë herë më të mira se më parë. Shtëpia u rindërtua falë nismës së modeles së njohur shqiptare, Xhesika Berberi, e cila mblodhi fondet dhe i dhuroi për ndërtimin e banesës se familjes Çekirri.

Teksa falenderoi Xhesikën, por edhe miqtë e shumtë që kontribuan, Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj tha se janë porositur per rindërtim rreth 1 mijë shtëpi individuale.

“Shteti bën sa mundet, por edhe shteti ka limite. Kur shteti nuk i bën të gjitha gjërat vetë, kërkon ndihmë nga shoqëria, nga njerëzit e famshëm, nga ata që kanë mundësi, nga njerëz që frymëzojnë të tjerët. Falë Xhesikës, Adrola Dushit dhe gjithë artistëve të tjerë, që kanë një reputacion, në vend që ta përdorin reputacionin për më shumë vanitet, per Instagram e Facebook, vendosen qe këtë reputacion ta shfrytëzojnë per t’i bërë shtëpinë Nuriut dhe Enos së vogël. Ndaj, edhe unë e kam zemrën plot me mirënjohje per ta. Ne do ta bëjmë punën tonë, jemi në një fazë ku kemi 1 mijë shtëpi të porositura, por çdo njeri që na heq një pjesë të barrës, na jep një dorë”, tha Veliaj.

Mes emocioneve dhe lotëve të gëzimit, modelja shqiptare, Xhesika Berberi tregoi se si vendosi që të mbledhë fondet për rindërtimin e shtëpise. Ajo siguroi se nisma nuk do ndalet me kaq, por shumë shpejt do të nisin punimet edhe për një banesë tjetër, për të lumturuar një tjetër familje në nevojë. “Ideja për të kontribuar në këtë ditë të vështirë per shqiptarët, lindi thjesht nga zemra. Më dhembi zemra kur e pashë se si në një mëngjes, kur një tërmet ra e u shkatërruan shumë shtëpi, shumë njerëz humbën jetën dhe e ndjeva të domosdoshme të jepja kontributin tim. Mendova të hapja një faqe ne Go Fund. Nuk mund të le pa falenderuar Adrola Dushin, e cila dha një mbështetje shumë të madhe këtu. Gjithashtu, edhe të gjithë njerëzit që kanë dhuruar sepse kjo ishte gjëja më e bukur. Nga të gjithë ne u mblodhën këto fonde dhe u bë e mundur ndërtimi i dy shtëpive. Është gjëja që më ka bërë më krenare deri tani, kam vendosur që të ndihmoj dhe një familje tjetër dhe do ndërtoj edhe një shtëpi tjetër”, tha ajo.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se nëse të gjithë ne si shoqëri, në vend të përçarjes dhe shpifjes, vendosim të kontribuojmë dhe të bashkëpunojmë, edhe vendi bëhet më i mirë. “Eshte bukur kur zbulon se dikush në anën tjetër të oqeanit, që gjithashtu ka zemër, gjithashtu mobilizon njohjet e veta, nuk zgjedh të shajë dhe të kritikojë, se asnjë nuk është perfekt, por thotë: Unë nuk i bëj dot të 3 mijë shtëpitë, po unë do bëj 2 a 3 sot, dhe një që mora përsipër nesër. Nëse si shoqëri funksionojmë në këtë mënyrë, ku secili ndihmon sa mundet, atëherë edhe vendi bëhet më i mirë. Kombi, shteti, Shqipëria janë nocione abstrakte, është shumatorja e njerëzve që e bëjnë vendin dhe nëse shumatorja është pozitive, pra secili bën më të mirën, nuk përçan, nuk shpif, nuk shan, por kontribuon, ndihmon, bashkëpunon, solidarizohet, atëherë edhe vendi bëhet më i mirë”, tha Veliaj.

Thirrjes së kryebashkiakut Veliaj për të ndihmuar në rindërtimin e banesave të reja iu përgjigjën edhe mjaft biznese dhe figura të njohura.