Jozefina Topalli është një nga “të piketuarit” nga Myslim Murrizi për ta pasur në partinë e re më të cilën do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Deputeti i opozitës së re i ftuar në Report Tv ka bërë me dije se do ta ftojë ish- kryeparlamentaren që t’i bashkohet teksa e konsideron si një mikeshë me të cilën kanë kaluar shumë peripeci në ’97.

“Nuk kam hasmëri politike, ajo ka qenë mikeshë e imja, kemi kaluar peripeci të llahtarshme, pse jo do të përpiqem të kontaktoj jo vetëm Topallin, por me të gjithë ata që duan t’i bashkohen atyre që kërkojnë pushtet me votë, e jo me rrotë”, tha Murrizi.Megjithatë, teksa nga njëra anë synon që t’i bashkohet një figurë politike të vjetër, nga ana tjetër, Rudina Hajdari nga opozita e re me të cilën kanë qenë bashkë në betejën për lista të hapura, nuk do t’i bashkohet në partinë e re. Për këtë, Murrizi shprehet se nuk ka mbetur i zhgënjyer, ndryshe nga Halit Valteri, pasi rrëfen se Hajdari në asnjë moment nuk i kishte premtuar se do shkonin bashkë në zgjedhje.

“Një zhgënjim i atij (Halit Valteri) jo i imi, me idenë që kemi qëndruar së bashku për kauzën e hapjes së listave, jo vetëm me Hajdarit.

Tani duhet të ndahet gjithsecili të mirë e tij. S’na kishte premtuar se do ishim bashkë në parti. Unë iu kam thënë do organizojmë një lëvizje me një sigël partie, që të mos spekulojmë me të qenit deputet dhe të kandidojmë në 12 qarqe. Hajdari nuk ka qenë e prirur për të qenë pjesë e lëvizjes së përbashkët”, tha Murrizi.

Për zgjedhjet e 25 prillit, ai iu premton qytetarëve se do të jenë më të fortë në Kuvend, nëse do i besojnë, teksa nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor.

“Do të kandidojmë në 12 qarqe me 140 kandidatë me lista të hapura. Do të jemi më të fortë në Kuvend, hapja e listave është një sukses i yni. Kushtetuta nuk ndryshohet më.

Luli dhe Rama inshAllah po i mbyllin listat, nëse mendojnë se mund të vijnë në pushtet me militantë, i ftoj shqiptarët që të votojnë forcat e tjera politike që do jenë në garë me 100% lista të hapura. Nuk i përjashtoj koalicionet pas zgjedhjeve”, shtoi ai.

Murrizi nuk i ka kursyer një përgjigje kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi për nënqeshjen e tij në studion e Report Tv ku u pyet për lista të hapura. Duke theksuar se për të ka konsideratë, se ndryshe nga të tjerët nuk e ka blerë partinë, Murrizi shtoi se opozita e re nuk ka qenë një shtojcë e Ramës.

“Nuk dua të merrem me Shehin, ruaj konsideratë. Ai të gjejë një ligj që Murrizi ka votuar një ligj të Ramës. Ai mund të qeshë edhe me të madhe me bëmat që kanë bërë në 97 dhe e çuan pa frena dore”, tha ai.

Në fund, ka sqaruar opinionin publik se logoja e partisë “Lidhja Demokratike e Shqipërisë” nuk do të jetë përfundimtarja.