Impakti i pandemisë COVID-19 në tregjet nën mbikëqyrje dhe masat e marra nga Autoriteti ishin në qendër të takimit virtual mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Ervin Mete dhe Drejtueses së Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Yan Sun. Mete u shpreh se në përgjithësi tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit i rezistuan efekteve të pandemisë, megjithatë AMF po ushtron një monitorim të kujdesshëm për shkak të pasojave vazhduese.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv e njohu Drejtuesen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë me masat konkrete të Autoritetit në funksion të garantimit të qëndrueshmërisë së tregjeve dhe përshtatjes së planeve të vazhdimësisë së biznesit. Gjithashtu, Mete e informoi Yan Sun në lidhje me procesin e trajtimit dhe pagesave të dëmeve të tërmeteve të vitit të kaluar nga shoqëritë e sigurimit. Duke pasqyruar ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, Mete deklaroi se tregu i sigurimeve ka pasur një trend pozitiv rikuperimi. Tregu i fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare paraqitet i qëndrueshëm.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet makroekonomike në vend dhe ndikimet e mundshme në tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Në terma më të gjerë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së dhe Drejtuesja e Misionit të FMN-së biseduan për masat e mundshme të menaxhimit të rrezikut nga ngjarjet e jashtëzakonshme dhe situatat e krizave. Nga ana e saj, Yan Sun vlerësoi rolin mbikëqyrës të Autoritetit në këtë periudhë të vështirë për tregjet financiare, si edhe shprehu gatishmërinë për të asistuar në vijimësi Autoritetin përmes ekspertizës teknike ndërkombëtare.