Ferrari e ka festuar garën e 1.000 në Formula 1 duke i kërkuar Mick Schumacherit që ta drejtonte makinën e babait të tij, Michael, me të cilin e fitoi titullin e botës në vitin 2004. Ylli i Formula 2 e nderoi babanë e tij legjendar duke e drejtuar Ferrarin e tij përgjatë pistës së Mugellos para fillimit të garës për Çmimin e Madh të Italisë në Toskanë.
Pikërisht me këtë makinë Michael Schumacher në vitin 2004 fitoi 13 gara nga 20 të gjithë sezonit. “Ka qenë ëndërr për mua që ta drejtoj këtë veturë. Ta pilotosh këtë makinë në Mugello në kushte pa shi, ka qenë një nder absolut”, ka thënë Mick. Kujtojmë që Schumacher vazhdon të luftojë për jetën e tij pas aksidentit të tmerrshëm që pësoi duke bërë ski. Michael ka pësuar një lëndim trunor në dhjetor 2013, ndërsa për një kohë të gjatë ai ka qëndruar në koma.