Ambasada britanike në Prishtinë ka nënshkruar sot me disa organizata të Kombeve të Bashkuara projektin “Kthimi në Normale në Kosovë”, që synon një sërë ndërhyrjesh të integruara dhe gjithëpërfshirëse shëndetësore dhe arsimore, me qëllim që të ndihmojë rimëkëmbjen e Kosovës nga COVID-19.
Projekti në vlerë 2.5 milionë dollarë do të zbatohet nga UNFPA, UNICEF, UN Women dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë duke filluar nga tash e deri në mars të vitit të ardhshëm. Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë përmes këtij projekti do të gjenden mënyra për menaxhimin e duhur të situatës me pandemi.
“Unë mendoj se është shumë me rëndësi të kuptohet impakti që ka të bëjë me stabilitetin e shtetit. Në aspektin tradicional, ne jemi shumë të mbërthyer me çështje qe kanë të bëjë me situatën apo problematikat e konfliktit ose kohës pas konfliktit. Megjithatë, unë mendoj se në këtë rast është me rëndësi të identifikohen ato dhe kjo bënë që jeta e përditshme të jetë e prekur nga ajo se çka po ndodh dhe se a mundet sistemi shëndetësor të funksionojë, dhe a është i kërcënuar dhe se edukimi a do të vazhdojë, a do të shkojnë fëmijët në shkolla, dhe prandaj sa më shumë të bëjmë që t’i ndihmojmë që ta përforcojmë këtë stabilitet. Kjo nuk do të shkojë shumë shpejt, dhe me numrat që po zvogëlohen tani në Kosovë, ndoshta njerëzit do të mendojnë se përfundoi dhe se ekziston një e ardhme më e shkëlqyer, mirëpo nuk është rasti ashtu. Nëse e shohim në Ballkanin Perëndimor, duhet të qëndrojmë ende të sigurt dhe të gatshëm që të vazhdojmë t’i mbrojmë jetët, mirëpo në njëjtën kohë t’i inkurajojmë njerëzit që të gjejnë mënyra që ta menaxhojmë situatën, në mënyrë që të mbrojmë vetveten dhe familjet e tyre, dhe kjo është ajo çfarë po mundohemi të bëjmë”, ka thënë Abbott.
Ndërsa, administratori i këtij fondi, Jens Wandel, ka thënë se sfidat me COVID-19, mund të tejkalohen, por po ashtu edhe të gjendet një zgjidhje sa i përket edukimit.
“COVID-19 ka qenë një pandemi e madhe, ka pasur efekt në çështje socio- ekonomike, por edhe impakt në shëndetësi, në sistemin shëndetësor. Pra, të gjitha këto po ndodhin në të njëjtën kohë, andaj është me rëndësi që të shohim se mund të lëvizim me programin tonë në mënyrë që të sigurojmë se njerëzit me aftësi të kufizuara të mos mbeten mbrapa në edukim, shëndetësi. Po ashtu, është me rëndësi që kjo nuk është e mundur pa ndihmën e Qeverisë britanike… Ky program tregon se mund t’i tejkalojmë sfidat e COVID-19 që të gjejmë zgjidhje sa i përket edukimit dhe problematikave tjera. Fondi për reagim dhe rikuperim është një veprim, i cili e ruan mundësinë e shteteve të qëndrojnë në rrugën e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Koordinatorja e misionit UNDP për Kosovë Ulrika Richardson, ka thënë se për realizimin e këtij programi do të kenë gjashtë muaj në dispozicion.
“Kujdesi shëndetësor dhe edukimi për të gjithë, është një nga investimet më të mira në stabilitetin social, po ashtu edhe në drejtësinë sociale. Ne e dimë se ky është një themel për një shoqëri kohezive dhe të fortë dhe rezistente, andaj me një program të tillë shumë ambicioz, janë gjashtë muaj para nesh”, ka thënë Richardson.
Në fushën e shëndetësisë, projekti do të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve të zbulimit COVID-19 përmes laboratorëve rajonalë në Gjilan dhe Prizren dhe aparateve mobile të rrezeve rëntgen në Graçanicë dhe promovimin e mesazheve të besueshme COVID-19 dhe masave parandaluese. Shërbimet shëndetësore thelbësore që nuk lidhen me COVID do të mbështeten përmes shërbimeve e-shëndetësore në të cilat ka qasje përmes telefonit ose internetit dhe përmes programeve të përforcuara të imunizimit për fëmijë dhe adoleshentë.Ndërsa në fushën e arsimit, projekti do të mbështesë sigurinë e shkollave përmes sigurimit të pajtueshmërisë me rekomandimet COVID në shkolla dhe duke siguruar mbështetje për fëmijët me nevoja të veçanta ose ata që rrezikojnë të braktisin shkollën. Një fokus i veçantë i projektit do të jetë te gratë dhe vajzat e reja. /Kosova Press/