Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ka ripostuar fjalimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kim shkruan se Shqipëria është një mik i madh i SHBA-së, pasi mbrojtën ata që ishin në nevojë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Si Pompeo tha, Shqipëria është një mik i madh i Shteteve të Bashkuara dhe një shembull i fuqishëm për pjesën tjetër të botës në BESA. Kur kishte më shumë rëndësi, populli shqiptar mbajti nderin e tij dhe mbrojti ata në nevojë”, shkruan Kim.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo publikoi një video-mesazh në Twitter, ku teksa shprehet krenar që mori pjesë në Forumin Ballkanik Kundër Antisemitizmit, falënderon Shqipërinë dhe shqiptarët për heroizmin e treguar gjatë Luftës së Dytë Botërore.