Investime në sektorin energjetik dhe në atë infrastrukturor janë dy fushat prioritare që Shqipëria do të përfitojë nga fondet e BE projektuar për Ballkanin Perendimor. Janë 9 miliardë euro grante që do të aktivizohen në investime strategjike nga ky vit deri në 2024. Synimi është që fondi i investimeve të arrijë në 20 miliardë euro, por ende nuk ka një vendim përfundimtar sa do të përfitojë secili shtet.
Sipas dokumentit për planin ekonomik dhe investimeve në Ballkan, thuhet se fondet që do të jepen për Shqipërinë do të orientohen tek ndërtimi i hekurudhës që lidh Tiranën dhe Podgoricë dhe që shtrihet deri në portin e Durrësit, si dhe rehabilitimin e 120 km rrjet hekurudhor nga Shqipëria drejt kufirit me Malin e Zi. Po ashtu pjesë e kësaj pakete do të jetë edhe përfundimi i “Autostradës Blu” përgjatë bregdetit nga Kroacia –Shqipëri- Greqi. Ndërkohë një pjesë e fondeve është parashikuar të përdoren për baypassin në Unazën e Madhe të Tiranës.
Përveç këtyre fusha kryesore që pritet të marrë edhe financimin më të madh është gazifikimi i vendit, konkretisht me ndërtimin e gazsjellësit Fier-Vlorë si pjesë e tubacionit Trans Adriatik, si dhe përfundojë dhe tubacioni Jon-Adriatik përgjatë bregdetit do të ketë përparësi, duke lehtësuar një diversifikim të madh të burimeve të furnizimit me gaz në Ballkanin Perëndimor po edhe në rajon.
Do të punohet për rehabilitimin e HEC-it të Fierzë në Shqipëri si dhe do të kontribuohet edhe në ndërtimi i Hidrocentralit Skavica, në mënyrë që të rritet potenciali për vendin dhe përfundimisht rajonin për të rritur eksportin të energjisë elektrike nga energjia e pastër. Do të mbështetet përdorimi i shtuar i burimeve të ripërtërishme të energjisë, si dhe do të vendosen sisteme të integruara rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Aktualisht vëmendja e Ministrisë së Infrastrukturës që preket më shumë nga këtë projekte po punon për planin e gazifikimit të vendit, ndërtimin e gazsjellësit Fier-Vlorë si dhe për studimin e disa vendeve ku mund të ndërtohen termocentralet. Lëvrimi i fondeve pritet të fillojë pas dorëzimit të projekteve të realizuar në bashkëpunim me BE.
PROJEKTET NË FOKUS TË FONDEVE TË BE
Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Podgoricë-Durrës. Rehabilitimi i 120 km hekurudhë Shqipëri-Malin e Zi. Përfundimi i “Autostradës Blu” përgjatë bregdetit Kroacia-Greqi. Financim i Baypass-it të Tiranës. Financim i gazifikimit të vendit. Ndërtimi i gazsjellësit Fier-Vlorë. Përfundim i tubacioni Jon-Adriatik. Diversifikimi i burimeve të furnizimit me gaz. Rehabilitimi i HEC-it e Fierzës. Kontribuohet në ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Mbështetje për energjinë e rinovueshme. Sisteme për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.