Në një prononcim për mediat, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar në lidhje me lajmin që ka qarkulluar mbi rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, duke e cilësuar atë si plotësisht të pavërtetë. Sipas tij bëhet fjalë vetëm për hyrjen në fuqi të sistemit që njihet si ETIAS, i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë së brendshme e forcimin e kufijve të Bashkimit Evropian, duke forcuar instrumentet e verifikimit të të dhënave të të gjithë shtetasve të huaj që hyjnë në hapësirën e përbashkët evropiane, pra nuk do të ketë aplikim për viza ose ndonjë praktikë të caktuar ekskluzivisht për shtetasit shqiptarë.Cakaj u ndal në sqarimin e tre keqkuptimeve themelore, që sipas tij kanë mbizotëruar në media e janë përfolur në publik këto ditë. Së pari, ai theksoi se nuk bëhet fare fjalë për rikthim të vizave apo për plotësim të formularëve të vizave, por bëhet fjalë vetëm për plotësimin e një formulari online, i cili që do të gjenerojë autorizimin për udhëtim brenda pak minutash. Së dyti, Ministri në detyrë Cakaj informoi se nuk bëhet fjalë për një praktikë që do të aplikohet ekskluzivisht për Shqipërinë, por kjo është një praktikë që do të përfshijë një listë të gjatë të shteteve të ndryshme, që përfshijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Australinë, e që në vetvete do të ngërthejë vendet e Ballkanit Perëndimor. Së treti, Cakaj u shpreh se ky sistem nuk do të hyjë në fuqi në vitin 2021. Në rastin më të mirë, ky sistem do të hyjë në fuqi nga një janari i vitit 2023, por edhe kjo mbetet një çështje e hapur, duke marrë parasysh faktin se Bashkimi Evropian, zbatimin e këtij sistemi e diskuton që nga viti 2016.
“Të gjithë shtetasit shqiptarë ta kenë parasysh një gjë fare qartë dhe mirë: Nuk do të ketë rikthim vizash për ta dhe ata do të mund të lëvizin lirshëm, pa asnjë pengesë në të gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian, ashtu siç bëjnë sot. Çdo përpjekje për të interpretuar zbatimin e sistemit ETIAS si rikthim vizash për Shqipërinë, ose dështim i Shqipërisë në rrugën evropiane është thjesht i pasaktë, thënë në mënyrën më të butë të mundshme”, përfundoi Cakaj fjalën e tij.