Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu iu ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga autoritetet shëndetësore, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shmangin infektimin nga COVID-19. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja shkruan se qytetarët duhet të bëhen bashkëpunues, pasi askush nuk e ka shkopin magjikë për të larguar virusin.
Statusi:
Një mënyrë e mençur për të shprehur mirënjohjen për sakrificën disamujore të mjekëve dhe infermierëve, që po u shërbejnë pacientëve në këto ditë të vështira kudo, në të katër anët e Shqipërisë, do të ishte zbatimi i atyre rregullave të thjeshta që frenojnë përhapjen e Covid-19. Secili prej jush mund të bëjë kaq shumë, për të mos lejuar që të infektohet vetë dhe të infektojë të afërmit.
“Shkopin magjik” nuk e ka sot askush! Vaksina ende nuk ka dalë, ndërsa kurat që përdor e gjithë bota dhe Shqipëria, shënjestrojnë simptomat dhe jo sëmundjen. Virusi do të mposhtet një ditë dhe të gjithë ne do t’i kthehemi normalitetit. Por deri atëherë, ju lutem, bëhuni bashkëpunues me strukturat tona dhe përdorini armët e vetme që ka sot në dorë çdo njeri, kudo në botë: #maska #distancimi #distancimi