Këtë vit janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ. Mbështesim arsimin, shëndetësisë, bujqësinë, infrastrukturën dhe Rindërtimin. Rritja e nivelit të mbështetjes buxhetore të disa sektorëve prioritarë, si arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, rindërtim, pritet të garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm. Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit të zërit të shpenzimeve të projektbuxhetit 2021, në Komisionin Parlamentar te Ekonomisë dhe Financave. “Shpenzimet buxhetore për këtë vit janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, tha Denaj, duke shtuar, se të marra së bashku këto shpenzime garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm”.
Ministrja informoi deputetet, se shpenzimet e personelit për vitin 2021, të parashikuara në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë. Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave përfitojnë: • 4,650 Mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor; • 13,765 Infermierë dhe Laborantë; • 35,883 Mësues të Arsimit Parauniversitar Gjithashtu, tha Ministrja Denaj, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliard lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit. Një ndër zërat e rëndësishëm janë dhe Investimet Publike që për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë). Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020.
Ministrja sqaroi për deputetët, se në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
—————–
Fjala e plotë e Ministres Denaj E nderuar Zonja Kryetare e Komisionit, të Nderuar Deputetë! Sikurse kam prezantuar në seancën hapëse të këtij Komisioni të nderuar për shqyrtimin e projektbuxhetit 2021, shpenzimet buxhetore për këtë vit janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Të marra së bashku këto shpenzime garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm. Shpenzimet e Personelit për vitin 2021, të parashikuara në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë. Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave përfitojnë:
• 4,650 Mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor; • 13,765 Infermierë dhe Laborantë; • 35,883 Mësues të Arsimit Parauniversitar Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 janë parashikuar në masën 45.9 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si skema e fermerëve, programet e nxitjes së punësimit, mirëmbajtja e aseteve rrugore kombëtar dhe infrastrukturës IT, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimi i sportit. Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliard lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit. Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 43.8 miliardë lekë ose 2.6% e PBB-së. Në këtë shumë përfshihet dhe një fond kontingjent prej 4.5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB-së për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit. Subvencionet janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare. Këtë vit rritja e subvencionit i dedikohet e gjitha programeve të nxitjes së punësimit, politikë e nisur në fund të vitit 2020.
Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve janë planifikuar në vlerën prej 193.97 miliardë lekë ose 11.5% e PBB në vitin 2021: Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë ose 8.6% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.4 miliardë lekë.
Dëshiroj të theksoj këtu se kjo skemë ka një varësi gjithnjë e më të ulët nga transferta e buxhetit qendror, e cila për vitin 2021 pritet të ulet në masën 41.6% të totalit, dukshëm më ulët se niveli i regjistruar në vitin 2013 prej 46.6% të totalit. Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020. Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB.
Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë: • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë, duke ruajtur kësisoj të njëjtin nivel me vitin e kaluar, në mënyrë që të akomodohen më së miri nevojat që kanë lindur si pasojë e efekteve negative që shkaktoi pandemia e COVID-19 në punësim. • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë ose 1.3% e PBB, duke pësuar një rritje nominale me 1.2 miliardë lekë. Kjo rritje, ndjek të njëjtën logjikë të përdorur dhe për fondin e pagesës së papunësisë, pasi efektet negative e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 janë ndjerë më shumë nga shtresat vulnerabël, të cilat rrjedhimisht kërkojnë një vëmendje të shtuar nga politikat buxhetore. • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë ose 0.1% e PBB. • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB-së. Ky fond pritet të financojë rreth 30,000 familje përgjatë vitit 2021. Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2021, planifikohet në masën 4 miliardë lekë, përkatësisht 2 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 1 miliardë lekë fond kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe 1 miliardë lekë fond rezervë për studime dhe projektime për projektet e investimeve publike strategjike që lidhen me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të planifikuar nga BE për Ballkanin Perëndimor.
Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë). Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020. Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë dëshiroj ta filloj me Arsimin ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2021-2023. Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në janar të vitit 2021, në këtë sektor do të financohet me përparësi:
Arsimi Parauniversitar: • Dhënia e teksteve shkollore falas për klasa 1-7 si dhe në vitin 2021 për klasat e 8-ta dhe 9-ta dhe kompensimi, në masën 100 % fëmijëve që vijnë nga familje që i përkasin shtresave vulnerabël dhe minoriteteve; • Sigurimi i transportit të 30-32 mijë nxënësve për ndjekjen e arsimit parashkollor dhe bazë dhe rreth 9-12 mijë mësuesve që mësojnë dhe punojnë në distancë dhe mbulimi 100% i shpenzimeve të transportit me fonde të buxhetit; • Projekte për ndërtime të reja dhe rikonstruksione për rreth 130-150 objekte arsimore, ku parashikohet të përfitojnë 50,000- 60,000 nxënës dhe 4 500-5 500 mësues dhe edukatorë. Arsimi i lartë: • Garantimi i aksesit në bazë të meritës dhe rritja e dimensionit social në arsimin e lartë duke mbështetur me bursë financiare 16% deri 18% të studentëve të ciklit të parë dhe të dytë dhe në përputhje me parimet e barazisë gjinore; • Rritja e cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet kualifikimit shkencor të stafit akademik me 5% deri 10% në vit dhe nëpërmjet rritjes së numrit të stafit akademik me kohë të plotë duke synuar uljen e raportit pedagog/student në 1/24; • Pakti për Universitetet përmes financimit me përparësi për ngritjen e infrastrukturës dhe investimeve në kampuset universitare. Shëndetësia, ku financimi do të mbetet në nivelet 3% mesatarisht për periudhën 2021-2023, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët do të synohet: • Mbulimi universal i popullsisë me shërbim shëndetësor duke parashikuar 6.4 milionë numër vizitash në periudhën 2021-2023, mbështetur në treguesit e sëmundshmërisë. • Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë (check-up) për mesatarisht 475 mijë pacientë në vit; • Trajtimi me recetë rimbursimi i mesatarisht 400 mijë pacientëve në vit, përgjatë periudhës 2021-2023. • Rritja e numrit të pacientëve të trajtuar nga 320 mijë pacientë në vitin 2020 në 340 mijë pacientë në vitin 2023;
Bujqësia, do të vazhdojë të përfitojë në terma realë 0.8% të PBB për periudhën 2021-2023 ku synohet: • Rritja e % së fermerëve që përfitojnë nga përmirësimi i infrastrukturës ujitëse dhe kulluese ndaj totalit të fermerëve në sipërfaqen potencialisht të ujitshme nga 68% në vitin 2020, në 73.6% në vitin 2023; • Përqindja e sipërfaqes ujitëse ku fermerët kanë akses për ujë për ujitje, kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme (360,000 ha) nga 68% në vitin 2020, në 73.6% në vitin 2023; • Shtimi i numrit të përfituesve nga skema e masave mbështetëse në bujqësi nga 2300 përfitues në vitin 2020 në 2400 përfitues në vitin 2021, 2450 përfitues në vitin 2022 dhe 2500 përfitues në vitin 2023. • 70 mijë fermerë të regjistruar përfitues potencial nga skema e përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe karbonit. Në infrastrukturë synohet: • Kompletimi i Rrugës së Arbrit dhe fillimi i projektit të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë; • Avancimi i punimeve në segmentet rrugore si: Kardhiq – Delvinë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës; • Kompletimi i segmenteve rrugorë brenda 2021 me financim të huaj si: By Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë; • Vënia në funksion e Aeroportit të Kukësit si dhe ndërtimin e Aeroportit të Vlorës; Në fushën e mbështetjes së zhvillimit ekonomik synohet: • Promovimi i Shqipërisë si destinacion investimesh nëpërmjet organizimit dhe pjesëmarrjeve në panaire ndërkombëtare dhe “road shoë” promovuese, vizita në kompani (after care), në kuadër të zbatimit të aktiviteteve për krijimin e zonës ekonomike rajonale/MAP REA si dhe monitorim efektiv investimesh strategjike; • Ndërmarrja me sukses e aktiviteteve promovuese për nxitjen e investimeve të huaja dhe të produkteve “Made in Albania”;
• Rritja e përpjekjeve për të reduktuar informalitetin e mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si pengesë kyçe në aksesin e financimeve të SME-ve, nëpërmjet:
Rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun ndërkombëtar nëpërmjet granteve nga Fondi i Konkurrueshmërisë (60 biznese të mbështetura financiarisht në 2020-2023); Avancimit të mëtejshëm në fushën e teknologjisë dhe inovacionit nëpërmjet granteve që i akordohen bizneseve të specializuara në këtë fushë nga Fondi i Inovacionit (75 biznese të mbështetura financiarisht në 2020-2023); Nxitjes së krijimit të bizneseve të reja në sektorë me potencial zhvillimi nëpërmjet Fondit Start-Up (60 biznese të mbështetura financiarisht në 2020-2023); Mbështetjes së sipërmarrjeve të sektorit të artizanatit dhe zejtarisë me qëllim konsolidimin e tyre ne treg dhe rritjen e numrit të të punësuarëve nëpërmjet “Fondit në mbështetje të biznesit kreativ”. Në total parashikohet të përfitojnë 85 SME vendase me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë (60 biznese të mbështetura financiarisht në 2020-2021). Mbështetja e rreth 400 bizneseve të vogla e të mesme për rimëkëmbjen ekonomike. Kjo politikë do të mbështetet me fonde buxhetore prej 250 milionë lekësh në total për vitin 2021. Në fushën e mbrojtjes kombëtare synohet me prioritet përmbushja e detyrimit të angazhimit në NATO duke ju përmbajtur premtimit për të alokuar deri në vitin 2024 një buxhet kombëtar të barasvlershëm me 2% të PBB. Ky buxhet përkthehet në: • Modernizimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës së FA duke: o zhvilluar kapacitetet e FA në përputhje me Planin Afatgjatë të Zhvillimit; o vijuar pajisjen e Forcave Tokësore me armatim të ri të ndërveprueshëm me aleatët në NATO; o zgjeruar investimet në infrastrukturë për përmirësimin e mjediseve të punës dhe ushtarake; o modernizuar pajisjet dhe sistemet kompjuterike. • Vijimin e pjesëmarrjes në operacionet e NATO-s duke rritur nivelin e angazhimit të FA, në operacionet e Aleancës dhe pjesëmarrjen në misionet e iniciativat e reja që NATO mund të ndërmarrë. • Zhvillimin dhe mbajtja në gatishmëri të kapaciteteve të FA për operacione të mbrojtjes kombëtare dhe kolektive, operacione në përgjigje të krizave, si dhe kapacitetet për përballimin e Emergjencave Civile, dhënien e ndihmës vendeve të rajonit në rast emergjencash civile në kuadrin e NATO-s, OKB-se dhe BE-së. Dëshiroj të ndalem gjithashtu dhe tek financimi i prioriteteve te integrimit në BE, ku fillimisht do të përmend financimin e plotë të Reformës në Drejtësi që prej nisjes së saj në vitin 2016.
Gjithashtu, në reforma në Administratën Publike po vazhdon me ritme të kënaqshme, dhe pritet që në vitin 2021 të finalizohet rishikimi i sistemit të pagave dhe i metodologjisë së klasifikimit të pozicioneve të punës në Administratën Publike. Edhe fusha të tjera si: transporti, bujqësia, zhvillimi ekonomik etj., do të avancojnë më tej përpjekjet e tyre për të përafruar si legjislacionin e tyre parësor dhe dytësor me atë të BE, por edhe duke ofruar asete dhe shërbime publike të cilat shpejtojnë procesin e integrimit me Bashkimin Europian. Jo pa qëllim, kam lënë në fund dy prioritetet e ardhura si pasojë e dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tonë: 1. Rindërtimi Në projektbuxhetin e vitit 2021 parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Krahas kësaj shume të konsiderueshme që përballohet nga buxheti i shtetit, gjatë 2021 është parashikuar dhe një fond prej 1.5 miliardë lekë për përballimin e bonusit të qerasë për familjet e mbetura të pastreha nga kjo fatkeqësi. Krahas 34 miliardë lekë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2020 dhe 6 miliardë të parashikuar në vitin 2022, buxheti i rindërtimit do të mundësojë: • 3470 banesa individuale; • 4646 banesa kolektive; • 145 objekte arsimore; Si dhe gjithë infrastrukturën shoqëruese të nevojshme për vënien në funksion të plotë të tyre (ujësjellës-kanalizime, energji elektrike, rrugë lidhëse & urbane etj.) 2. Përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19 Në kuadër të pandemisë COVID – 19 Qeveria Shqiptare alokoi për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale një buxhet të dedikuar të menaxhimit të epidemisë në forcimin e sistemit shëndetësor në vlerën 2.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2020. Kësaj shume i shtohen edhe rreth 507 milion lekë ndihma kryesisht nga organizata ndërkombëtare në pajisje mjekësore, materiale mbrojtëse dhe medikamente. Prej më shumë se 6 muajsh sistemi shëndetësor arritur të menaxhojë deri më tani përballjen me COVID – 19 falë punës së ekipit mjekësor dhe investimeve të kryera nga qeveria dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX), dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19 (këtu nuk përfshihet kostoja e rritjes së pagave me 40% për stafin mjekësor). Për të kaluar tek Shpenzimet për Buxhetin Vendor ku decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri më tani priten të kenë ndikimin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë reforma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Qeveria Shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.3% të PBB-së në vitin 2021. Gjithashtu, përmes buxhetit të vitit 2021, do të vazhdojë mbështetja financiare për reformën në arsimin parashkollor me synim konsolidimin e një skeme financimi të përshtatshme dhe efektive që synon përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve. Në buxhetin e vitit 2021, fondet e pagave për edukatoret ndahen kryesisht mbi bazën e numrit të fëmijëve. Më specifikisht, 60% e fondeve për pagat e edukatoreve ndahen mbi bazën e numrit të fëmijëve (me moshë 3-6 vjeç) dhe 40% mbi bazën e numrit të edukatoreve. Dëshiroj të sjellë në vëmendje që nga politika e rritjes së pagave për arsimin parauniversitar përfitojnë dhe stafi mësimor i arsimit parashkollor duke garantuar nga buxheti i shtetit rritjen e pagës për funksion në masën 15% dhe për edukatoret-mësuese tashmë të decentralizuara dhe transferuara në qeverisjen vendore. Në buxhetin e vitit 2021, njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milion lekë. Ky fond është shpërndarë me një formulë e cila bazohet në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive. Pjesën tjetër të fondit bashkitë mund ta sigurojnë nëpërmjet përdorimit të fondit rezervë dhe të kontigjencës ose/dhe pjesë nga buxhetet e tyre (transferta e pakushtëzuar dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore). Ky fond i akorduar njësive të vetëqeverisjes vendore së bashku me fondin që këto do të adresojnë përbën fillimin e një reforme të rëndësishme për mbrojtjen civile.
Faleminderit!