Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë takimeve të drejtpërdrejta me biznesin në Vlorë diskutoi mbi masat e marra nga qeveria për uljen e taksave.
Dy masat e fundit, si rritja e pragut të TVSH deri në 10 milion lekë dhe heqja e tatimit mbi fitimin per bizneset me xhiro deri 14 milion lekë, janë jo vetëm masa lehtësuese për tatimpaguesit, por pritet të ndikojnë drejtperdrejtë edhe në formalizimin e ekonomisë.
Kjo ndihmë vjen edhe si mbështetje për rimëkëmbjen e biznesit pas situatës së shkaktuar nga karantina prej COVID-19.
Denaj u shpreh, se “do të jetë një periudhë jo e lehtë, por Qeveria është pranë bizneseve për t’i dëgjuar dhe lehtësuar nga barra fiskale”.
Ndërsa vetë përfaqësuesit e bizneseve kanë pohuar se vendimi për zerimin e tatimit mbi fitimin nga 1 janari i vitit që vjen është i mirëpritur, pasi do të lehtësojë ndjeshëm kostot e tyre.
“Nga zerimi i tatimit mbi fitimin unë kursej rreth 200 mijë lekë në vit”, tha një sipërmarrës, duke shtuar, se edhe marrëdhënia dhe klima e biznesit ka ndryshuar, prej aktivitetit në doganë te proceset e kontrolleve.
Denaj ka thekuar, se heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë do të ndihmojë edhe në fomalizimin e ekonomisë.
Anila Denaj vijon turin e takimeve te drejtpërdrejta me sipërmarrje të vogla, te mesme dhe të mëdha në të gjithë vendin, ku po njihet nga afër me çdo problematikë të tyre.