Shtëpia e Bardhë ka publikuar së fundmi disa foto ku presidenti 71-vjeçar duket mjaft i zënë duke firmosur me lapistilin e tij të zi dokumente në spitalin ushtarak Walter Reed, të cilat vëzhguesit symprehtë të mediave sociale kanë tallur si “të inskenuara”. President Donald Trump është vënë në lojë për nënshkrimin e atyre që duken si “letra të bardha” duke pretenduar se po punon, edhe teksa lufton kundër infeksionit të koronavirusit. Bija e tij Ivanka Trump komentonte: “Asgjë nuk e ndalon atë të punojë për popullin amerikan!”
Por komentuesit theksonin faktin se presidenti ishte shfaqur në foto në dy vende të ndryshme brenda vetëm 10 minutave. Gazetari i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Feinberg tha se Trump “duket se po nënshkruan emrin e tij në një fletë të bardhë”. Foto ishin marrë gjatë natës së dytë kur presidenti është i shtruar me koronavirus në spitalin ushtarak. Ato janë bërë objekt talljesh në rrjetet sociale, teksa një person shkruante: “Ai është një ‘reality TV star’. Ka nevojë vetëm të bëjë disa foto me pamje presidenciale, të cilat i performon shumë mirë.”
Ndërsa një tjeter komentonte pretendimin e fletëve të bardha: “Kjo është e vetmja gjë që ai di të bëjë. Për sa kohë që duket sikur punon dhe mbështetësit e tij e besojnë, është ndoshta më mirë se të bësh diçka me te vërtete”. “Po jetojmë në kohën e presidencës ‘reality TV’.” Të tjerë kritikonin Trump për mosmbajtje të mjeteve kundër përhapjes së virusit. Historiani Alex von Tunzelmann tha; “Nuk është një surprizë e madhe që fotot janë inskenuar. Më zbavisin ata që thonë se presidenti po nënshkruan një fletë të bardhë letre, por shqetësuese është që ai nuk mban maskë.”
“Shpresoj që kotësia e tij të mos ketë infektuar fotografin.”