Për të dytën ditë me radhë në Gjermani raportohen 11.000 raste të reja infektimesh nga koronavirusi. Një mjek i ekipit drejtues paralajmëroi se 20.000 infektime në ditë mund të nënkuptojnë një tjetër mbyllje. Të premten Gjermania raportoi 11.242 raste të reja infektimesh, duke shënuar ditën e dytë rresht me më shumë se 11.000 infektime të reja ditore. Që nga nisja e pandemisë, kjo është java e parë që numëron mbi 10.000 raste të reja brenda 24 orëve. Gjatë 7 ditëve të shkuara, shkalla e infeksionit në të gjithë vendin është rritur në 60.3 raste për 100.000 persona, krahasuar me 56.2 për 100.000 persona të një dite më parë. Numri i të v d e k u r v e u rrit me 49 në 9954.
A është e nevojshme një mbyllje e dytë? Duke parë shifrat në rritje, një ekspert mjekësor i ekipit drejtues tha, se mund të jetë e nevojshme një mbyllje e dytë, në rast se do të kalohet numri i 20.000 infektimeve të reja ditore. “Atëherë nuk do të ishte më e mundur për autoritetet shëndetësore që të gjurmojnë dhe të ndërpresin zinxhirët e infeksionit,” i tha të përditshmes ‘Rheinische Post’ Frank Ulrich Montgomery, kryetari i Shoqatës Botërore të Mjekësisë. “Atëherë ne mund të jemi gati për një mbyllje të dytë sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ngadalësuar virusin.” Montgomery gjithashtu i tha gazetës, se çdo vaksinë e mundshme kundër koronavirusit nuk do të ishte një “ilaç” dhe se vaksinimi i të gjithë popullsisë mund të zgjasë “dy deri në tre vjet”.
Infektohet bashkëshorti i ministrit Burri i ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn është bashkuar ndërkohë në radhët e të infektuarve, pasi vetë Spahn rezultoi pozitiv të mërkurën (21.10). Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë tha të premten se Daniel Funke ishte izoluar me burrin e tij të mërkurën dhe ishte testuar një ditë më pas. Ai tha se Spahn vazhdon të ketë simptoma të lehta ftohjeje, ndërsa Funke aktualisht nuk po shfaq simptoma. Spahn është anëtari i parë i kabinetit qeveritar gjerman që është infektuar nga koronavirusi. Ministri i Jashtëm Heiko Maas dhe Kancelarja Angela Merkel kaluan të dy nëpër periudha të shkurtra izolimi paraprak, por asnjëherë nuk rezultuan pozitivë.
Ndihma e qeverisë vijon Ndërsa pandemia vazhdon të shkaktojë kërdi ekonomike, qeveria gjermane është zotuar të vijojë me ndihmat financiare për biznesin deri në 2021. Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier premtoi, se ndihma për industrinë e turizmit të goditur rëndë do të vazhdojë brenda rregullave të Komisionit Evropian. “Aktualisht, ne jemi duke përgatitur një rifreskim të ndihmës sonë financiare, të cilën do ta zgjasim deri vitin e ardhshëm,” tha ai. Qeveria ka zgjatur gjithashtu skemën e saj të subvencionimit të pagave “me kohë të shkurtuar pune” deri në fund të 2021, që do të thotë se do të vazhdojë me zgjedhjet e planifikuara kombëtare të vitit të ardhshëm. Skema lejon ndërmarrjet në gjendje të vështirë të ulin orët e punës së punonjësve dhe t’i paguajnë ata në vend që t’i pushojnë nga puna dhe qeveria mbulon pjesërisht pagat e ulura.
Rriten shtrimet në spitale Autoritetet thonë se rritja e rasteve reflektohet në numrin e shtrimeve në spital në landin më të populluar të Gjermanisë, Renanisë Veriore – Vestfalisë (NRW). Sipas qeverisë së NRW, rreth 1420 pacientë me koronavirus janë aktualisht të shtruar në spital, krahasuar me 320 një muaj më parë. Nga këta pacientë, 275 janë në kujdes intensiv dhe 148 të intubuar. Sidoqoftë, qeveria tha që spitalet ishin larg arritjes së kapacitetit të tyre, me 1320 vende të kujdesit intensiv akoma të disponueshëm, nga një total prej 5640. (DPA, AP, Reuters)