Këtë të mërkurë Kryeministri Rama dha një konferencë për shtyp së bashku me ministren Balluku, duke sqaruar të gjitha projektet madhore të ekonomisë dhe infrastrukturës së vendit.

“Dua të vë theksin te vizioni që është korniza e të gjitha hapave që ne kemi hedhur dhe do të hedhim për të materializuar një plan infrastrukturor, ku do të na ndihmojë dhe shumë plani i ri i investimeve të KE me tre shtylla: infrastrukturën me mjetet e transportit dhe të rrugëve automobilistike. Energjia ku Shqipëria ka një pozicion kyç dhe ka një avantazh të rëndësishëm në raport me vendet e tjera të rajonit, për të qenë protagonist në këtë pjesë të Ballkanit. Shqipëria ka një plan të qartë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit, qoftë në veri me gazsjellësin Adriatiko-jonian që shkon në Mal të Zi, Kroacia. Qoftë edhe me degëzimet, ai i Kosovës që është strategjik. Dhe dixhitalizimi. Ku bëhet fjalë për ndërhyrje masiev për të forcuar ndërlidhjen dixhitale në rajon. Të tre këto shtylla kanë në thelb komponentin e impaktit rajonal. Janë shtylla që do të ngrihen individualisht në çdo vend. Po përgatisim një thirrje publike për ekspertët shqiptarë jashtë vendit, që do të duhet të bëhen pjesë e kësaj përpjekje, skuadër ekselence për projektet. Mundësisht për të mundur të thithim fondet nga BE, me të hyrë në fuqi me aprovimin e buxhetit nga KE dhe Këshilli Europian. Të mund të shohim zbatimin në periudhën 2021- 2023 si procese që përfshijnë faktikisht këtë mandat dhe këtë plan buxhetor të KE.” tha Rama.

Kryeministri theksoi se përpos punës së përditshme në kantieret e infrastrukturës rrugore, projektet madhore të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale janë përgatitur tashmë.

“Krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, për të cilat ministrja do bëjë një raportim të detajuar, ne kemi kantieret e infrastrukturës portuale dhe aeroportuale, deri tani askush s’ka shkuar të shohë kantierin e Kukësit ku po punohet me orë të zgjatura për aeroportin e Kukësit ku përmbyllja e punimeve do të kërkojë edhe disa muaj. Po punohet për Aeroportin e Vlorës, duke çarë shtegun e pandemisë, pasi është ndërprerë procesi i garës në pranverë nga gjendja e pandemisë dhe do të rihapet aty ku ka mbetur. Me të mbyllur garën për Vlorën jemi gati të lancojmë procesin për aeroportin e Sarandës për të cilin është bërë gati strategjia. Aeroporti i Sarandës është aeroporti i tretë, i cili në fakt do të fillojë punën i pari, është më i vogël, por me impakt të rëndësishëm për turizmin. Aeroporti i Vlorës është strategjik edhe në funksion të Sarandës. Besoj që me këto 4 aeroporte, Tiranë, Kukës, Vlorë dhe Sarandë hyjmë në një epokë të re të turizmit me impakt jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën.” sqaroi Kryeministri Rama.

Në vijim, Rama zbardhi planet për spostimin e porteve të vendit, të cilat do ta vendosin Shqipërinë në hartën e turizmit detar: “Ne do të fillojmë procesin për spostimin duke hedhur në një garë ndërkombëtare portin e ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër, ku është plani për zonën e lirë ekonomike që jemi optimist se më së fundmi do të funksionojë. Po kështu do të bëjmë edhe me Vlorën, porti ekzistues është një infrastrukturë arkeologjike. Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare përfshin edhe një port turistik që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën, sikundër dhe me Durrësin dhe edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do të mund të sistemojmë me standarte bashkëkohore në anën tjetër. Në pak javë do mund të fillojmë të japim autorizimet për fillimin e portit të tretë, që do jetë i pari që do fillojë në Sarandë. Kemi marrë një propozim fantastik dhe që ndryshon paradigmën e Sarandës. Vendi do të hyjë shpejt në një hartë që do jetë harta e turizmit të detit, në aspektin ekonomik.”

Në mbyllje Kryeministri ju përgjigj të gjithë zërave skeptikë duke premtuar se Aeroporti i Kukësit do të jetë gati për të funksionuar në pranverë.

“Besojmë se Aeroporti i Kukësit do të jetë operacional në pranverë, nuk tërhiqem nga synimi për 120 mijë votat për Partinë Demokratike që do i sjell me avion nga Londra. Do të përzgjidhen ata që kanë sharë dhe kanë përqeshur aeroportin e Kukësit, i ftojë të shajnë sa më intensivisht dhe të tallen. Ky është një objektiv, shpresoj ta realizoj.” përfundoi Kryeministri.