Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, thotë se punët e realizuara në kryeqytet flasin më shumë se çdo sulm politik apo gënjeshtër politikanësh, pasi ashtu si me gjimnazin “Sami Frashëri”, projektin e Astirit, Rrugën e Durrësit dhe të gjitha projektet transformuese të Tiranës, qytetarët besojnë te ndryshimet e prekshme. Në një takim me stafin e Njësisë 10, ku ndaloi ditën e sotme për turin në çdo njësi administrative, Veliaj deklaroi se nisja e punimeve për ringritjen e shkollës së dëmtuar nga tërmeti, dyfish më të madhe, ishte prova për çdo akuzë dhe baltë që hidhet nga opozita.
“Sa afron fushata zgjedhore, plas histeria kolektive për lajme të rreme dhe çudira. Një prej tyre ishte historia e “Sami Frashërit”. Del një politikane që ka 30 vite që Shqipëria e mban me gjithë të mirat dhe thotë “do bëhet në Paskuqan, do bëhet pallat, nuk do u jepet njerëzve, toka i është kthyer pronarit”, çudira pa sens. Dje e morën të gjithë proven, që jo vetëm “Sami Frashëri” do bëhet ku ishte, por do bëhet dy herë më e madhe si shkollë dhe shumë më moderne. E njëjta gjë për Rrugën e Durrësit. Ne e dimë që shumëzimin këta s’e kanë pikën e tyre më të fortë, megjithatë, do pak durim. Në momentin që hapet edhe “Zogu i Parë”, Rruga e Durrësit me tre korsi, njerëzit kuptojnë se realisht është bërë punë për të lehtësuar qytetarët. Ulërasin më shumë ata që e bllokuan për 3 vjet “Astirin” dhe thonë ka trafik. Po të na kishin lënë të punonim, do e kishim mbaruar me kohë dhe do ishte liruar trafiku, do i kishim parë hajrin gjithë asaj zone. Tani jo vetëm që nuk u ka rënë fatkeqësia, por u ka rënë bingo me “Astirin” dhe me të gjithë punimet që po ndodhin aty,” u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë u shpreh se një rëndësi e veçantë po u jepet edhe objekteve monument culture, të cilat nuk do lihen më të përdoren si mejhane, për më tepër nga ata që sot akuzojnë se në vend të tyre do ngrihen pallate, por do të rivitalizohen sikundër u veprua me shtëpinë muze të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, apo me Pazarin e Ri.
“Kur flasin këta për monumentet e kulturës mbetem pa fjalë. Tipikisht ai që është sjellë më keq me trashëgiminë, ai ulëret më shumë. Ulërasin më shumë me legjenda urbane, që, medemek aty do të bëhet pallat ish-deputetë që deri dje Sarajet i kishin kthyer në mejhane, birrari, raki e gjizë. Këto ndërtesa që këta nuk i mbajnë dot ne do t’i shpronësojmë, që t’i mbajë Bashkia, ashtu siç kemi bërë me shtëpinë Kadare, me shtëpinë Dritëro Agolli, me pallatin e Maks Velos, siç ndërhymë tek Pazari i Ri, siç ndërhymë tek Kalaja. Kalaja, ashtu siç ishte, që ishte kthyer në një qendër skrapi, nuk mbahej. Kështu që, e vetmja mënyrë ishte që të vinim dorë,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku ndaloi më herët në sheshin “Bukureshti”, ku është krijuar “Këndi i Artistëve”, një hapësirë çlodhëse e krijuar enkas për të pushuar. Në këndin e artistëve janë vendosur ndenjëse të firmosura nga artistët më të mëdhenj shqiptarë.