Kryeministri Rama ka inspektuar gjatë ditës së sotme Qendrën e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit në Fier, e ndërtuar nga Albgaz, në zbatim të marrëveshjes së arritur me TAP, një qendër e standardeve ndërkombëtare të funksionimit.
Kjo qendër do të shërbejë në një periudhë të parë, për mirëmbajtjen e një segmenti të pjesës Perëndimore të TAP, por në një perspektivë 10-15 vjeçare ajo do të shërbejë si bërthama, nga ku do marrë zhvillim një sistem kompleks i terë i operimit dhe mirëmbajtjes në gjysmën Jug-Perëndimore të rrjetit kombëtar të gazit natyror.
Ky rrjet tashmë është vënë në rrugën e zhvillimit sipas Master Planit të aprovuar nga Qeveria Shqiptare. Kryeministri Rama tha se shtrirja e rrjetit të furnizmit me gaz për familjet dhe bizneset është një mundësi reale që do ulë koston e energjisë dhe nga ana tjetër rrit mundësinë e degëzimeve në Kosovë e më tutje.
“Pak më përpara ne kemi finalizuar edhe një proces për ndërtimin e parkut të parë me energji diellore në Shqipëri, parku më i madh në rajon me energji diellore. Me hidron, me gazin dhe me energjinë diellore ne diversifikojmë portofolin e energjisë duke qëndruar në platformën e përbashkët europiane të energjisë së pastër, gjë që na jep neve edhe një plus në aspektin e potencialit sepse e dini që një pjesë e konsiderueshme e energjisë në rajon është energjia që prodhohet me anë të qymyrit për të cilin BE ka direktiva agresive në rrugën drejt energjisë së pastër”, shtoi Kryeministri.
Albanian Gas Service Company, shoqëria e përbashkët midis Albgaz dhe dhe kompanisë lider në botë, Snam, rekrutoi 36 punonjës shqiptar, të gjithë të rinj, të selektuar sipas një procesi meritokratik në Kuadër të Paktit për Universitetin. Kompania siugroi edhe kualifikimin e punonjësve të Albanian Gas Service Company në Itali dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standardeve më të larta të sektorit por në veçanti edhe të TAP.