Biznesmeni Isuf Berberi i cili është shpallur sot në kërkim nga policia e shtetit për aferën korruptive në AKBN duke i shkaktuar një dëm prej 1.5 mln USD dëm shtetit shqiptar, është mik i presidentit Ilir Meta. Në foton e siguruar nga gazeta Tema shihet se si biznesmeni Isuf Berberi, pozon në krah të mikut të tij Ilir Meta. Në foton më poshtë Berberi ka dalë dhe me bashkëpunëtorët e tij.

Hetimi

Nga hetimet disa mujore që çuan në arrestimin e 6 zyrtarëve të administratës shtetërore dhe shpalljen në kërkim të biznesmenit Isuf Berberi ka rezultuar se shoqëria “Phoenix Petroleum” që drejtohej nga Naim Kasa dhe Isuf Berberi, e cila me Marrëveshje Hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte.

Me qëllim plotësimin e detyrimeve për Programin Minimal të Punës dhe në kushtet kur këto investime nuk janë kryer, kjo shoqëri ka paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore 8 fatura të falsifikuara për shërbime, të cilat në fakt nuk janë përfituar nga kompania amerikane Black Sëan Energy Service. Falsiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1,299,000 USD.

Punonjësit e AKBN të arrestuar Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, Rezarta Qose dhe Klodian Gradeci, aktualisht në kërkim, kanë certifikuar në mënyrë të kundërligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të kryera. Po kështu, punonjësit e administratës tatimore Arben Doda dhe Simon Marku kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë të mundur që kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej 568.000 USD. Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundërligjshme të punonjësve të saj është 1.427.766 USD.