Juristi Kreshnik Spahiu mendon se kauza kryesore për të cilën duhet të protestonte Partia Demokratike është rritja e çmimit të naftës. Në një lidhje për Report TV, Spahiu tha se rritja e çmimit të naftës në Shqipëri, pavarësisht pasojave të luftës në Iran, është jashtë çdo logjike, dhe kjo është arsye për të cilën duhet të protestojë PD.

“Cila duhet të ishte kauza e parë për protestë? Çmimet. Në një kohë kur Shqipëria mban çmim rekord për naftën, a thua se në përplasje me Izraelin dhe Iranin ishte Shqipëria, apo sikur rubineti apo ngushtica detare ishte në Sazan dhe jo në Iran. Dhe çmimi i parë që ngrihet, ngrihet në Shqipëri”, tha Spahiu.

Por, sipas Spahiut, që PD të protestonte në bulevard për rritjen e çmimit të naftës, duhet si fillim të mbyllë makinat luksoze për 6 muaj dhe të lëvizin me biçikleta.

“Por, që kauza e opozitës të kishte mbështetje popullore për rritjen e çmimit të naftës, duhej që PD, liderët e saj, kryesia e saj, deputetët e saj, të mos dalin me makina 200 mijë euro para protestës, apo të mos shoqërohen në Bulevard me badigardë, por të mbyllin makinat për 6 muaj dhe të dalin me biçikleta. Sepse shtëpitë e tyre janë 300 metra nga selia e PD-së apo 50 metra nga Bulevardi. Cila është arsyeja që këta përdorin makina luksoze, kur është rritur çmimi i naftës 2-fish. Këta as në mënyrë simbolike nuk pranojnë”, shtoi Spahiu.