Jo të gjithë Lulzimët ngrihen vonë paradite. Ka nga ata që zgjohen herët në mëngjes dhe tre prej tyre i takoi sot Erion Veliaj në Pezë, gjatë turit të tij për inspektimin e investimeve në çdo njësi.

“Isha me Lul Agën, që më tha: Më keni bërë shtëpinë, që unë s’kisha shans ta bëja kurrë. Njeriu punon tërë jetën për të bërë një shtëpi. Ky Lulzimi çohet në 6 të mëngjesit nga gjumi, jo në 11. Keni parë ndonjë aktivitet që Lul Basha të shkojë para orës 11? Çdo aktivitet i tij fillon pas orës 11. Kurse këta Lulzimët që takova sot në Pezë, çohen herët. I thonë punës mirëmëngjes para se të lindë dielli. Unë besoj fort se kjo mënyrë e të bërit punë, kjo mënyrë e të shërbyerit të njerëzve, e të bashkëpunuarit në komunitet, funksionon. Kam një Lul këtu, Lul Kalaja, që më tha: Ore, ne nuk kemi qenë gjithmonë majtas, se kemi pas bindje të ndryshme. Madje, unë s’kam jetuar në Shqipëri, kam jetuar në Zvicër, por fakti që më vjen rruga te prona, më rritet vlera e pronës, po mendoj të krijoj një agroturizëm, që fëmijët e vet të mos i lërë në kurbet, por ta ndërtojnë pasurinë këtu”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se Lul Basha nuk ka mbështetjen as të gruas së tij, e cila nuk e voton. “Ju përmenda tre Lulzimë nga ata që punojnë, nga ata që dinë të lexojnë, nga ata që në ditë fatkeqësie nuk marrin nga 4-5 vila, nga ata që kanë vetëm një axhendë, nga ata që i mbështet gruaja, se kemi edhe Lulzim që nuk e voton gruaja e tij. Ajo që lipset është të kuptojmë se pavarësisht sesi i kemi pas bindjet, pavarësisht si i kemi pas votat, kush punon, meriton mbështetjen”, deklaroi Veliaj.