I ndërtuar në vitin e largët 1953, me pajisje që datojnë të prodhuara edhe më herët, që në vitin 1923, Nënstacioni elektrik i Kombinatit do t’a dorëzojë tashmë stafetën, për t’u bërë më pas pjesë e muzeut të elektro-energjitikës shqiptare.
Nënstacioni i ri, i sapondërtuar vetëm pak kilometra më tutje, jo vetëm do të plotësojë të gjitha nevojat e banorëve të zonës së Kombinatit, por do të ndikojë në mënyrë drastike në uljen e nivelit të humbjeve. Më këtë investim parashikohet që niveli i humbjeve të energjisë në rrjet, të shkojë në 4% në zonën e Kombinatit, më i ulët edhe se standardi europian, i cili është në nivelin 6%.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të shoqëruar nga deputetja e zonës, Blerina Gjylameti dhe Administratori i OSHEE, Adrian Çela kanë inspektuar sot Nënstacionin e ri të OSHEE në Kombinat. Përmes këtij impianti shumë modern, 120 mijë banorët e kësaj zone do të kenë një garanci më të madhe për furnizimin e pandërprerë dhe më cilësi të lartë me energji elektrike.
Fillimisht Kryeministri Rama dhe ministrja Balluku janë ndalur në Nënstacionin e vjetër, i cili ka një moshë prej gati 70 vjetësh dhe që megjithatë vazhdon të jetë në funksion deri në futjen në punë të nënstacionit të ri. Këtu ata janë njohur nga afër me problematikat e shumta, që sillte për furnizimin me energji të zonës, amortizimi i pajisjeve dhe përmbytjet e shpeshta, në të cilat gjendej vazhdimisht nënstacioni i vjetër, veçanërisht gjatë stinës së dimrit, kur edhe kërkesa për energji elektrike nga banorët është më e lartë.
Nënstacion i ri, është prodhim i vitit 2020, i ndërtuar me kapacitet 100 MW, nga ku do të dalin 22 fidera me rrjet 20kV. Përmes tij do të arrihet furnizimi me energji elektrike të zonave Yzberisht, Kombinat, Vaqarr dhe fshatrave deri në kufi me Vorën dhe në të njëjtën kohë do të bëhet balancimi dhe menaxhimi i ngarkesave për N/stacionet Kashar dhe Selitë.
“Ky është një investim 11 milionë Euro, që është bërë nga OSHEE, nënstacioni i ri me të gjitha parametrat teknikë, për të mbuluar jo vetëm nevojat e zonës, ku kemi 120 mijë banorë, që shërbehen nga ky nënstacion, por është dhe një stacion rregullator për të gjitha zonat e tjera. Këtu kemi hapësira për të shtuar kapacitete në të ardhmen sipas zhvillimit, që do ndodhë në zonë, pasi mund të shtojmë edhe 10 fidera të tjerë”, është shprehur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ministrja Balluku ka ritheksuar rëndësinë që ka ky investim në uljen e humbjeve në rrjet, çka është një objektiv parësor i MIE dhe OSHEE. Nëse në vitin 2013, kur Qeveria Rama mori detyrën, humbjet në rrjet në zonën e Kombiantit, ashtu si në gjithë vendin, ishin në nivelin 45%, pas mirëmënaxhimit të kompanisë u arrit që aktualisht ky nivel të ulet në 17% dhe tani me investimin e ri do bëhet e mundur, që humbjet të shkojnë në 4%.
Kryeministri Rama nga ana e tij theksoi: “Mesa vë re unë, janë pak njerëzit që e kanë harruar, që rrinin në radhë me orë, nëpër bodrume ose në mes të shiut për të paguar dritat dhe paguanin dhe për ata që s’paguanin. Sot, ende nuk është aty ku duhet të jetë, patjetër, sepse ka akoma shumë për të bërë, po s’ka asnjë krahasim të mundshëm, me çfarë ishte para 7 vjetësh. Jemi në një fazë komplet tjetër të historisë së zhvillimit të vendit dhe këtu ndarja ime me ata, që janë në të drejtën e tyre që të kritikojnë dhe bëjnë zgjedhjen e tyre kur shajnë, është që le të flasim për diferencat, që kemi në raport me të ardhmen, por në raport me të shkuarën këtu nuk bëhet fjalë”.