Qeveria italiane miratoi sot në Këshillin e Ministrave një projektamendament të ligjit financiar që arrin në 39 miliardë euro, si përgjigje ndaj ndikimit të krizës së COVID-19 në ekonominë e tretë të eurozonës. Nuk ka patur kurrë një ligj financiar kaq të zgjeruar në historinë e vendit, vlerësoi ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri, duke kujtuar se investimet do të shkojnë nga 2,3% të PBB-së në 2019 në 4% në vitin 2021.

Ligji do të financohet nga deficiti shtesë dhe nga 18 miliardë euro të planit europian të rimëkëmbjes, i miratuar në korrik në Bruksel. Masat kryesore të miratuara përfshijnë 1,4 miliardë euro për zgjatjen e kontratave me afat të caktuar për 30 000 mjekë dhe infermierë, 400 milionë për blerjen e vaksinave dhe 1,2 miliardë për të punësuar 25 000 mësues.