Dasma e Meghan Markle ka qenë një ndër më të diskuturat në histori dhe së fundmi janë zbuluar disa detaje të reja. Meghan dëshironte të mbante një tjetër kurorë në dasmën e saj, mirëpo ka qenë Mbretëresha Elizabeth ajo që e ka detyruar të ndryshojë zgjedhjen.

Në librin “Battle of Brothers: William and Harry – The Inside Story of a Family in Tumult”, historiani dhe biografi mbretëror Robert Lacey, ka zbuluar se mbretëresha Elizabeth II nuk ishte dakord me zgjedhjen e parë të Meghan Markle.

“Është e pakonfimuar nga Pallati – por nuk u mohua kurrë – megjithëse na u tha se mbretëreshës iu desh t’i thoshte ‘jo’ zgjedhjes së parë të Meghan, një diademë prej smeraldi që thuhej se kishte ardhur nga Rusia”, shkruan Lacey në librin e tij.

Më tej ai shton se kurora ishte një nga ato që kishte mbërritur në duart e mbretërisë përmes rrugësh të dyshimta gjatë Revolucionit Rus. Lacey shkruan se mbretëresha ishte e mendimit se nuk do t’i shkonte për shtat Pallatit Mbretëror dhe Meghani-t që gazetat të spekulonin se cila nga princeshat, vajzat e carit Nikolla II të Rusisë, e kishte mbajtur kurorën para se të vritej nga bolshevikët në vitin 1918.

Dhe për këtë arsye si përfundim u vendos që Meghan të mbante në dasmë një tjetër kurorë.